Nga Foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, në një seanca jo të zakonshme, ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi se opozita ka nisur aksionin e saj opozitar.
Qëllimi, sipas tij është rikthimi i parlamentit në “shinat e Kushtetutës dhe ligjit”.
Ish-kryeministri zgjodhi të transmetonte “live” në Facebook fjalën e tij nga Foltorja e zaptuar, duke akuzuar Parlamentin se ka asgjësuar opozitën.
“Parlamenti ka asgjësuar opozitën, sot nisim qëndresën tonë në sallë për t’u ndalë deri në triumfin e Kuhstetutës, ligjit dhe votës së lirë të shqiptarëve”, tha Berisha.
“Kujtoni se do të shpëtoni me përjashtime, nuk shpëton ky parlament duke përjashtuar opozitën, keni bërë 2 vjet çfarë keni dashur, tani prisni”, tha Flamur Noka.
Ndërkohë, dritat në Kuvendit janë fikur dhe seanca është braktisur nga deputetët. Në anën tjetër Berisha vazhdon fjalimin dhe deputetët e opozitës qëndrojnë në errësirë.
“Siç e shihni, si një grup gangsterësh dhe jo parlamentarësh, fikën dritat dhe u larguan. Por natyrisht me këtë akt dëshmuan edhe njëherë se çfarë përfaqësojnë”, tha Berisha.
“Në parlament ju garantoj se do të zhvillohet një nga betejat më të fuqishme në historinë e demokracisë shqiptare, e cila sot është një fiktivitet. Kurrë në 32 vite, nuk i është caktuar përfaqësuesi i opozitës në komisionin e reformës zgjedhore. Për herë të parë, Edi Rama, në traditën më të egër të etërve të tij xhelatë, mori përsipër duke gjetur një peng, të keqpërdorë atë në mënyrë ekstreme dhe ta paraqesë si përfaqësues të opozitës në reformën elektorale, në një kohë kur ai nuk përfaqëson gjë tjetër veçse interesat e tij më të ngushta, më të dyshimta dhe më kriminale”, ka shtuar ish-kryeministri.
Kjo është dita e parë e betejës sonë, në këtë betejë e kemi detyrim ndaj jush. Ju, me kurajën votuat kundër qeverisë. Kundër një qeverie e cila ka rekordet më të zeza në vjedhjen, varfërimin dhe mjerimin e shqiptarëve. Ka rekordet më të zeza në lidhje me krimin dhe drogën. Ka rekordet më të zeza në pasurimin e kryeministrit, ministrave dhe familjarëve të tyre me pasuritë publike dhe fondet e buxhetit të shtetit. Ka rekordet më të zeza me lidhjet me grupet e drogës nga Sinaloa e Meksikës që sot është kryekarteli i botës te grupet në Ekuador dhe në vende të tjera. ka rekordet më të zeza në liritë dhe të drejtat e qytetarëve, dhunimin masiv të votës”, tha Berisha.
Diskutime rreth kësaj post