Deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli, thotë se Tirana është qarku, i cili do të bëjë dallimin e madh në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të prillit.
“Nuk mund ta mohojmë se Tirana është një qark shumë i rëndësishëm për PS. Duke qenë se është kaq i rëndësishëm edhe forcat janë përqendruar këtu. Tirana është ajo që do bëjë ndryshimin e madh. Vështirësia për ne do të jetë qarku si Shkodra, Dibra, Lezha, dhe ne besojmë se edhe në këto bashki do të dalim fitues”.
Deputeti Ylli shprehet se PS-ja do të marrë dy mandate deputeti më shumë në Tiranë, në krahasim me zgjedhjet e 2017.
“Ne do të marrim dy mandate më shumë se në 2017 dhe mendoj se është e mundur se Tirana ka bërë një ndryshim shumë të madh. Qytetarët janë aq të mençur sa të bëjmë dallimin për sa i përket shërbimeve që kanë”, shtoi ai.
Ai u shpreh se Partia Socialiste ka programin e saj në këto zgjedhje dhe sipas tij objektivi kryesor është vijimi reformave të nisura,mes tyre ajo e drejtësisë.
“Ne kemi një program dhe programi ynë është vazhdimi i reformave. Po vazhdojnë reformat, e fundit është reforma në drejtësi, e cila është shumë e rëndësishme që t’i hapë rrugë drejtësisë dhe unë gjykoj se kjo është ende e papërfunduar”, shtoi deputeti i PS-së.
Teksa kritikoi kampin kundërshtar dhe liderin e PD-së, z. Ylli tha se Partia Socialiste do të arrijë që në këto zgjedhje të sigurojë mbi 50 % të mandateve në Kuvend.
“Basha është i pabesueshëm dhe po të shikosh i gjithë grupi opozitar që i është bashkuar PD janë të gjithë njerëz të konsumuar, që janë provuar në detyrat e tyre që kanë pasur. Prandaj, PS nuk kërkon bishta, por kërkon e vetme të provohet. Përsëri do jetë forcë e parë dhe do të marrë mbi 50% të mandateve”, shtoi ai për Euro News Albania.
Diskutime rreth kësaj post