Interviste dhene sot per gazeten Panorama!
Drejtuesi i emisionit Opinion ka dhe sot nje interviste per gazeten Panorama ku sqaron raportet ne emision me politikanet dhe shkakun se perse nuk do t’i pergjigjet Berishes!
– Ju e filluat sezonin këtë të enjtë me disa zhvillime dramatike që po ndodhin aktualisht si vrasjet dhe përmbytjet? Pse përzgjodhët këto dy tema për ditën që në fakt iu ia kushtoni politikës më së shumti?
B.F. Fjala “më së shumti” i takon një rituali të tejkaluar tashmë. Që nga fillimi i matjes profesionale të audiencës emisioni ka pësuar një transformim thelbësor. Që jo të gjithë e vënë re. Ka zbehur debatet tematike PD – PS dhe përqëndrohet më shumë tek tema e ditës. Edhe emisioni i të enjtes së fundit ishte për Krishtlindjet dhe jo për politikë sepse përkonte me atë festë.
Në javën e fundit, siç edhe ju mund ta keni vënë re, ngjarja më e lexuar ishte vrasja e 2 vëllezërve në Shkodër. Cdo lajm i asaj ngjarjeje tërhiqtë si me magnet vëmendjen e publikut dhe provokonte numrin më të madh të komenteve nën lajm. Që në fillim të javës ne vendosëm të merreshim me këtë ngjarje, por duke mos pasur shumë detaje që të mbanin një emision 2 orësh e bashkuam me dy ngjarje të tjera që i lidhte një fill, vrasje për motive të dobëta. Atë të Sarandës ku humbi jetën një grua e vrarë nga bashkëshorti dhe ngjarjen e Kavajës ku një i ri u vra për një plep. Të treja bashkë mund të mbanin një diskutim më të gjatë. Paneli u ndërtua i tillë, me psikiatër, përfaqësuese shoqatash të grave, kriminolog, gazetarë kronike dhe një specialist policie për krimet e tilla. Duke qenë nën emergjencë përmbytjesh, vendosëm ta ndryshojmë emisionin, por koha u përmirësua dhe alarmi i parë ra. Kështu që i kushtuam përmbytjeve 20 minuta dhe vijuam me axhendën. Kur ti bën një emision duhet të kesh parasysh shikueshmërinë. Për hir të së vërtetës mua dhe gazetarëve të tjerë nuk na intereson asgjë tjetër veç saj. Nëse shihesh je i suksesshë, nëse nuk shihesh ke dështuar në misionin tënd. Kjo është aksiomë e thjeshtë.
– E megjithatë politika u bë pjesë e debatit. Ish kryeministri Berisha ka folur përsëri me gjuhë të ashpër për emisionin tuaj duke e quajtur si njëri prej më të neveritshmëve në historinë e mediave. E prisnit një reagim të tillë nga Z. Berisha, aq më shumë për një program që nuk ishte mirfilli politik?
B.F. Po, Berisha ka pjesërisht të drejtë. Sepse 1 orë e 30 minuta përpara nisjes së emisionit një eksponent i rëndësishëm i PD kërkoi me moderim që çështja e Durrësit të hapej në emision meqenëse kishte ndodhur atë ditë dhe PD kishte reaguar. Ne nuk ishim përgatitur për këtë çështje se ajo kishte ndodhur atë mëngjes ndërsa paneli ishte njoftuar 2 ditë më parë. E hapëm dhe 4 persona të studio dolën jashtë loje. Psikiatri nuk foli, përfaqësuesja e shoqatave të dhunës ndaj grave nuk foli, përfaqësuesi i policisë që nuk e dinte po ashtu nuk foli dhe kriminologu po ashtu. Folën dy gazetarët me aq sa dinin. Ishte gabimi im që u fut ajo çështje në një debat që s’kishte lidhje me të, por duke menduar se po sillesha korrekt me një kërkesë të opozitës me gjasë bëra gabim. Gjithsesi këto ndodhin.
– Berisha argumenton se ju kishit përzgjedhur një panel gënjeshtarësh me përjashtim të njërit që thoshte disa gjysëm të vërteta. Emisioni juaj sipas tij ishte në shërbim të pushtetit duke bërë avokatin e policisë. A ishte qëllimi juaj në atë emision që të ishit në mbrojtje të policisë së shtetit (që në përzgjedhjen e panelit të mos kishte zëra kundër)?
B.F. Paneli është njoftuar të martën kur vrasja ka ndodhur të enjten. Nga ta dija unë që dikush do rrëmbehej në Durrës, do vritej dhe pastaj unë do bëja emision që të mbroja policinë. E thashë edhe një herë. Paneli zgjidhet që emisioni të bëhet sa më i shikueshëm. Ashtu si edhe në gazetë, në Tv mua më interesojnë shifrat. Opinionet në çdo rast do jenë kontradiktore. Si edhe dje, kur mëria ishte si e Berishës, ashtu edhe e qeverisë. Secila mendonte se i ishte bërë diçka më hile. Qeveria sepse u hap një temë që nuk ishte në temat e emisionit, Berisha që mendon se kjo u bë për të mbrojtur Tahirin. Nganjëherë më vjen të qesh shumë, kur sapo mbyllet një telefon ankesash me një palë, vjen telefonata e ankesave të palës tjetër. Të gjithë janë të pakënaqur. Por mua kjo s’më intereson fare. Të kënaqur apo të pakënaqur, kjo është çështje e tyre. Madje kritikat në përgjithësi më pëlqejnë më shumë. Të gjitha kritikat të kujtdo kanë qenë i kemi lexuar live në emision, edhe të Berishës dje. Madje e botuam edhe në faqe. Sa herë ta bëjë do ja lexoj me zë të lartë në emision live. Kritikat janë të mira, por unë nuk eci me to. Politikës i intereson loja e saj dhe kërkon të më përdorë. Kemi interesa të ndryshme. Mua më intereson shikueshmëria dhe kjo është gjëja kryesore për të cilën luftoj. Ju siguroj që kjo nuk është e mirë, por është shumë e mirë.
– Berisha ju akuzon gjithashtu si çensurues të deklaratave të PD-së që të mos përmendej emri i Saimir Tahirit. Si qëndron e vërteta?
B.F. Nuk e di përse e ka fjalën konkretisht. Por dua t’ju them një gjë. Për arsye të një raporti miqësor që kam pasur disa vite me Berishën, nuk do merrem kurrë me të dhe nuk do t’i përgjigjem. Cfarëdo gjë që të thotë dhe sado e pavërtetë qoftë. E kam bërë këtë zgjedhje sepse më neverit shernaja dhe ish miqve të kthyer në armiq që është bërë kaq e zakonshme në këtë shoqëri. Nuk e kam bërë dhe nuk do ta bëja me askënd. Berisha është i lirë të më kritikojë çdo ditë. Cdo ditë do t’ja lexoj me zë të lartë dhe do ti postoj në opinion.al.
– Zoti Fevziu, që t’I themi gjerat në mënyrë të drejtpërdrejtë, ju dhe televizioni ku punoni jeni akuzuar jo rrallë si shumë të aftë për t’i qëndruar afër dhe shërbyer çdo pushteti, aq sa keni bërë xhelozë edhe ndonjë television tjetër. Si janë marrdhëniet tuaja personale me Bashën dhe të tjerë eksponentë të rëndësishëm në PD, pra ankohet për ju vetëm Berisha apo edhe të tjerë në këtë parti?
B.F. Kjo është njëlloj si t’ju lexoj unë tani ç‘është thënë për gazetën ku punoni ju apo mediat tuaja. Besoj i mbani mend. Por unë po ju përgjigjem për emisionin tim. Unë kam marrëdhënie korrekte më Bashën dhe eksponentë të PD. Po në fund të fundit ç‘punë kanë marrëdhëniet e mija?! Marrëdhëniet janë personale. Kujt i hyjnë në punë?! Nëse do më pyesni psh, a kam marrëdhënie me Ramën, Metën apo eksponentë të PS, mund t’ju përgjigjesha edhe më ashpër, thuajse FARE! Dhe as mendoj për këtë gjë. Ju shihni rrallë ministra të PS në studion time, shihni deputetë të palëve shumë më pak se në çdo studio tjetër. Ju mendoni që të rëndësishme janë marëdhëniet e një gazetari me politikanët. Eshtë e kundërta, pyesni a tentojnë të mbajnë marrëdhënie të mira politikanët me gazetarët. Në këto 25 vjet kam parë shumë politikanë që vijnë dhe ikin. Lënë apo s’lënë asnjë shenjë. Harrohen apo përmenden aty këtu. Unë nuk kam lëvizur nga studio ime, ku këta kanë qenë kalimtarë. Sado të fuqishëm t’ju duken ju. Ka një mit për politikanët në Shqipëri. Duken të fortë. Në fakt shumica janë njerëzit më të dobët që kam njohur, shumë më të dobët se sa gazetarët e njohur që militojnë në këtë fushë.
– A është e vërtetë se Meta dhe Rama kanë vendosur për pak kohë të mos vijnë në programin tuaj?
B.F. Rama ka qenë në Tetor dhe që atëherë s’ka pasur ndonjë ftesë. Nuk e di si do përgjigjet kur t’i vijë dita. Nga ana tjetër prezanca e tij në Opinion është shumë më e paktë se sa në studio të tjera. Aq sa e detyron raporti me publikun. Meta ka refuzuar të vijë, po ashtu i hatërmbetur nga emisionet për cështjen CEZ dhe DIA. Por kjo është sërish statitistikë. As e ul as e ngre audiencën dhe vëmendjen e publikut ndaj emisionit. Ndërkohë Basha ka qenë 3 herë në këto 3 muaj. Po edhe kjo nuk do të thotë asgjë. Nuk ka qenë për të ndihmuar atë, por për faktin se i është dashur emisionit në raport me aksionin e tij publik.
– Çfarë bëni ju për të ruajtur disa ekuilibra politikë në emisionin tuaj dhe sa e lehtë apo e vështirë është?
B.F. Eshtë shumë e vështirë, por kjo nuk më shqetëson më. Në fund të 2012 dhe fillim të 2013 pata një problem me politikanët që mi bllokonin për të ardhur në emision. Në fillim e mora me alarm. Për fat në atë kohë nisi edhe matja elektronike e audiencës. Nevoja më detyroi që ti zëvendësoja politikanët me gazetarë që mbrojnë teza të mazhorancës apo opozitës. Zbulova që këta qenë më të suksesshëm se sa vetë politikanët. Dhe që atë moment nuk mendoj më për ekuilibra. Ekuilibri i vetëm është raporti numerik mes atyre që përfaqësojnë ide të kundërta. Dmth, sot për betejën opozitare mund të ketë teza më interesante Zogaj dhe Artan Hoxha se sa ndonjë deputet papagall i PD. Për mazhorancën më shumë mund të dëgjosh Lorenc Vangjelin e Andrea Stefanin se sa personazhe të neveritshëm që vijnë në studio veç për të mbrojtur Kryeministrin dhe Metën. Njerëzve ju interesojnë idetë dhe jo fytyrat që i artikulojnë ato.
– Në një intervistë të disa muajve më pare, ju thatë se preferoni më shumë ekspertë se sa politikanë në panel, jeni akoma i këtij mendimi, apo kur flitet për politikë, mungesa e protagonistëve jo gjithmonë është produktive?
B.F. Eshte e kundërta. Prania e politikave zakonisht i prish emisionet. Dikur mendoja të kundërtën. Sot e shoh që emisionet më të pashikueshëm janë ata më PD e PS përballë. Vijojnë recitimet, thonë pafund akuza ndaj njëri – tjetrit dhe në fund nuk kuptohet asgjë. Kjo ishte edhe teza e publikut: nuk kuptojmë asgjë. Padyshim që edhe kjo ka përjashtime. Politikanët që kanë idetë e tyre janë të paçmueshëm. Flas për recituesit.
Duke lexuar për këtë fenomen zbulova se kjo gjë kishte ndodhur edhe në SHBA në vitet ’70 e në Itali deri në vitet ’80. Ekranet ishin të mbushur me politikanë. Në fillim të ’90 bashkë me testimin e pëlqyeshmërisë së publikut, filluan t’i përzenë nga studiot. Ose politikanët gjetën forma të tjera për të qenë prezent. Sot, nga Italia në Britani e nga Franca në SHBA, ju nuk gjeni politikanë që të popullojnë studiot. Jo se nuk duan, por nuk i marrin se bëjnë shumë propagandë. Dhe ulin shikueshmërinë. Kjo gjë do vijë shumë shpejt edhe në Shqipëri. Nese do kishit qene te vemendshem do kishit pare qe këto 2 vite, politikane shume te rendesishem dhe drejtues partish me peshe, nuk jane ftuar asnjehere ne emision diten e enjte. Sepse ulin shikueshmerine. Kane qene ne oret me te vona te se henes, martes ose merkures. Po ashtu nga gjithë ministrat e kabinetit vetëm nja 4 a 5 kanë shkelur herë herë në studio. Dikur studio ishte e mbushur me ministra që çdo vit bënin bilancin në një emision të titulluar: Ministrat përballë shtypit.
– Së fundi, çfarë risie rezervon “Opinion” këtë sezon?
B.F. Ka vetëm një risi. Që çdo gjë që ndodh të diskutohet në mbrëmje në studio. Pa pasur frikë dhe pa u trembur nga shantazhet. Kemi përmendur një për një gjithë emrat e banditëve të politikës, të gjitha ngjarjet sado delikate. Të gjitha aferat e përfolura korruptive. Besoj do vazhdojmë sërish dhe për këtë ka nevojë që gazetarët të jenë gjithnjë më kurajozë dhe më pak të varur nga politika. Kryesorja është të shihemi. Konkluzioni im në darkë nuk është as çfarë mendon Rama as çfarë mendon Basha apo Meta. Veç kuriozitetit kjo gjë nuk vlen për asnjë përfundim. Konkluzioni i vetëm është grafiku i audiencës. Unë e kam raportin me publikun, politika nuk më intereson fare! Le të merret me punët e veta!
Diskutime rreth kësaj post