Ceremonitë për festën e Flamurit në Kosovë nisën me homazhet e Presidentit Hashim Thaçi në varrin e udhëheqësit Ibrahim Rugova në Prishtinë.
Kryeministri Mustafa ka uruar bashkëkombasit me një status në rrjetet sociale, duke shkruar se “ne ndihemi Një dhe të fortë, por edhe përgjegjës për ndërtimin dhe zhvillimin e shteteve dhe vendeve tona, gjithandej ku jemi”.
Shqiptarët, kudo që janë, i uroi edhe Presidenti Thaçi, duke bërë homazhe në Prekaz në kompleksin memorial “Adem Jashari”, ku përveç flamurit përkujtohet edhe ditëlindja e komandantit, si dhe dalja publike e UÇK-së.
“Dëshiroj të shpreh vlerësimin dhe respektin më të lartë për të gjithë ata njerëz, që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, për bërjen e Shqipërisë së pavarur, për këtë progres të madh. Ndërsa sot ndihemi shumë mirë, që Kosova është vend i lirë, i pavarur, sovran dhe në rrugë të sigurtë për integrimin euroatlantik”, tha Hashim Thaçi, president.
“Sakrifica e familjes Jashari, me në krye Adem Jasharin, është dëshmi që 28 nëntori nuk është vetëm datë e së kaluarës, por është edhe projekt i së ardhmes. Është e qartë që kjo Kosovë që po shohim sot është në shpërputhje flagrante me Kosovën, për të cilën ranë familja Jashari dhe të gjithë dëshmorët e luftës së fundit”, tha Visar Ymeri, kryetar i Vetëvendosjes.
Ndërsa një ceremoni tjetër nën kujdesin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, u zhvillua në fshatin Boletin në veri të Mitrovicës.
“Për një shekull e kemi festuar këtë ditë të madhe, me sy dhe zemër nga Vlora. Sot kësaj feste i shtohet përmasa e munguar për 100 vite. I shtohet Boletini, vendlindja e heroit kombëtar Isa Boletinit”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.
Nga Boletini, atje ku prehen tashmë eshtrat e heroit, Veseli ka deklaruar se “ata që pretendojnë sot të vendosin kundërshtime mes identitetit shtetëror të Kosovës dhe identitetit kombëtar, tregojnë vetëm sesa pak e njohin historinë dhe sa të paqartë e kanë të ardhmen”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.
Diskutime rreth kësaj post