Sipas Autoritetit të Konkurrencës, në tregun e qumështit rimbursimi 20 për qind i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nuk përfitohet nga fermerët, por nga tregtarët apo përpunuesit. Ky konluzion ka dalë pas një hetimi të thellë, që Autoriteti ka kryer në këtë treg, që nuk është i vetmi.
Sipas të dhënave zyrtare për gjashtëmujorin e parë, qeveria ka rimbursuar rreth 6 milionë dollarë si TVSH në bujqësi. Por, sipas Këshillit të Investimeve, fermerët thonë se paratë nuk i përfitojnë ata, por mbahen nga tregtarët.
Qeveria e rriti masën e kompensimit të TVSH-së në bujqësi nga 6 për qind, në 20 për qind dy vite më parë për të ndihmuar femerët. Por, i gjithë mekanizmi funksionon përmes tregtarëve. Tatimet rimbursojnë grumbulluesin, i cili këtë rimbursim duhet t’ia kalojë fermerit, përmes çmimit më të lartë në blerje.
Që në fillim skema shfaqi probleme, pasi tregtarët nuk ia kalonin përfitimin fermerëve, por e mbanin vet. Ministria e Financave propozoi një mekanizëm shtesë kontrolli, duke u kërkuar tregtarëve që t’i paguajnë fermerët përmes bankave. Por ky kusht është i vështirë për t’u plotësuar, veçanërisht për fermerët e vegjël, të cilët shesin sasira të vogla.
Dy vite pas miratimit, skema e kompensimit të TVSH-së në bujqësi mbetet ende problematike dhe paratë që qeveria rimburson nuk shkojnë plotësisht te femerët. Ky shqetësim është pranuar edhe nga Ministria e Bujqësisë, e cila tha për Top Channel se, më herët ka propozuar heqje të TVSH-së në bujqësi për këtë arsye, si dhe subvencion të drejtpërdrejtë për fermerët.
Diskutime rreth kësaj post