Kjo ishte një e dielë krejt ndryshe për fëmijët e kopshteve të Tiranës, ku sot Parku Rinia ishte më i mbushur se kurrë me zërat e fëmijëve, që iu bashkuan nismës “Tirana në sytë e fëmijëve” – një mundësi që fëmijët të shprehnin me duart e tyre se si e shikojnë ata të ardhmen e qytetit ku jetojnë.
Nismës që ka udhëtuar nëpër të gjitha njësitë administrative të kryeqytetit, iu bashkua edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se transformimi i çerdheve dhe kopshteve në kryeqytet është historia më e bukur e suksesit.
“Të gjitha edukatoret, kujdestaret, psikologët, kuzhinieret, pastrueset, rojet, të gjithë ata që na ndihmojnë çdo mëngjes kur kalojmë rrugën, të gjithë ata që sigurohen që kopshtet tona funksionojnë siç duhet, meritojnë një duartrokitje sot. Çerdhet dhe kopshtet tona janë kthyer në historinë më të bukur të suksesit në Tiranë. Pa ndihmën e secilit prej jush, sot nuk do t’i kishim kopshtet model, që na i ka zili gjithë Shqipëria”, tha Veliaj.
Ai theksoi se pavarësisht debateve apo diferencave në bindje politike, më e rëndësishmja është dashuria për familjen.
“Ka shumë njerëz që më kritikojnë – madje mund të ketë edhe këtu mes jush – më thonë: Ç’a merresh me kalamajtë, ata as paguajnë taksa, as votojnë! Por, pyetja e duhur është: A do mendojmë për zgjedhjet e ardhshme apo për brezin e ardhshëm? Ne duhet të mendojmë për brezin e ardhshëm. Politika bën punën e saj, një herë në katër vjet do të ketë debat, por unë besoj se partia më e rëndësishme është familja jonë e madhe. Nëse i kushtojmë energji, dashuri, kohë kësaj familjeje të bukur, gjërat e tjera nuk kanë rëndësi”, shtoi ai.
Veliaj i siguroi prindërit për vëmendje maksimale nga ana e bashkisë për përkujdesjen e fëmijëve në kopshte, duke filluar nga ushqimi gjer te aktivitetet sportive.
“Kur një prind sjell fëmijën në institucionin tone, na ka besuar ditën e syve, njeriun më të shtrenjtë që ka në jetë, dhe ne e marrim seriozisht trajtimin e tyre, duke filluar nga ushqimi, tek edukimi si qytetarë dhe aktiviteti fizik. Me kaq shumë talente, me kaq shumë dashuri dhe me kaq shumë qytetari që ka Tirana, ditët më të bukura, ky qytet do i ketë përpara”, deklaroi Veliaj.
Më pas, fëmijët dhe prindërit e tyre ndoqën dhe koncertin festiv ku protagonistët kryesorë ishin vetë të vegjlit.
Diskutime rreth kësaj post