Kur tërmeti fatal goditi vendin më 26 nëntor, një nga agjencitë më serioze në botë në këtë fushë, raportoi për intensitetin e lëkundjes, por jo vetëm. Shërbimi Gjeologjik Amerikan solli një panoramë të detajuar për ngjarjen e rëndë, duke nisur që nga harta interaktive e deri tek përllogaritjet për dëmet.
Sipas tyre, një tërmet i kësaj shkalle mund të shkaktojë dëme që shkojnë nga 100 milionë dollarë deri në 1 miliardë dollarë.
Kjo shifër u lakua pak ato ditë në media. Më vonë një nga këta spekulantët që dalin në media foli për një faturë 1 miliardëshe dhe gati dy muaj pas tërmetit, nuk u fol më për faturë.
Të enjten, kryeministri Edi Rama u pa duke biseduar me ministrin e Jashtëm italian, Luigi di Maio.
Ky i fundit e pyeti për situatën, kurse Edi Rama iu përgjigj duke thënë se fatura e dëmeve shkon rreth 1 miliardë euro. Di Maio mbeti i habitur nga ajo që i tha Rama.
A priste ai një shumë më të vogël? Kjo nuk dihet. Ajo që dihet është se kryediplomati italian i dha shpresë Ramës për Konferencën e Donatorëve në shkurt, kur pritet të shihen se sa fonde do të mblidhen.
Por rrumbullakosja e shifrës la një shije të mungesës së seriozitetit. Dikush mund të thotë se Rama do e ngrejë stekën lart, duke pritur që të marrë sa më shumë fonde nga të huajt. Pak gjasa ka që të ndodhë kjo. Edhe vetë Rama nuk është shprehur shumë entuziast se gjithçka do mbyllet me Konferencën e Donatorëve.
Diskutime rreth kësaj post