Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi shprehet i bindur se ardhja e afganëve në Shqipëri nuk sjell rrezik për vendin dhe qytetarët. Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama i ka thënë “po” kërkesës së SHBA për strehimin në Shqipëri të disa qindra afganëve, që sipas tij, janë nga të parët në listat e ekzekutimeve.
Por gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Klosi theksoi se zërat se Shqipëria i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të strehuar afganët në vendin tonë, nuk duhet të na shqetësojë, pasi ata janë bashkëpunëtorë të NATO dhe do të vijnë në mënyrë të kontrolluar në Shqipëri, ndonëse sipas tij, do jetë një numër jo shumë i madh. Sa i takon retorikës së ditëve të fundit të ndjekur nga ish-kryeministri Sali Berisha se është pro qeverisë së Kosovës dhe kundër nismës “Ballkan i Hapur”, zoti Klosi deklaroi se ish-lideri demokrat ka dashuri false për Kosovën për të hequr vëmendjen nga telashet e tij.
-Zoti Klosi, strehimi i afganëve në Shqipëri është bërë çështje e rëndësishme prej ditësh. Lajmi u bë i ditur fillimisht nga agjencia e lajmeve “Reuters”, e më pas ishte kryeministri Edi Rama, ai i cili pranoi dje përmes një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale se vendi ynë do të strehojë afganët, pasi siç thotë ai ishte SHBA, ajo e cila kërkoi nga Shqipëria dhe shtete të tjera mundësinë e strehimit të civilëve afganë dhe kapacitetet pritëse të tyre. Ju jeni pro apo kundër strehimit të afganëve në Shqipëri dhe a rrezikohemi ne nga prania e tyre në vendin tonë?
Zërat se Shqipëria i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të strehuar afganët në vendin tonë, nuk duhet të na shqetësojë. Afganët që mund të vijnë në Shqipëri ndryshojnë nga muxhahedinët. Afganët janë bashkëpunëtorët e NATO-s në Afganistan dhe në përgjithësi të gjitha trupat e NATO-s, pasi kanë qenë shumë shtete në Afganistan me mision kanë pasur bashkëpunëtorë, njerëz që i kanë ndihmuar, kjo edhe në rrafshin e reciprocitetit, kështu që natyrisht NATO ka një përgjegjësi për ata njerëz dhe t’iu ofrojë siguri dhe mbrojtje, meqenëse vendosi të ikë nga Afganistani. Natyrisht që NATO nuk mund të lërë bashkëpunëtorët e saj në duart e talebanëve, të cilët me aq sa po shohim në media janë drejt pushtimit të Afganistan. Pra, fakti që NATO po negocion me qeverinë tonë, por edhe aleatë të tjerët, bëhet nga fakti që bashkëpunëtorët e saj ndihen të rrezikuar nëse qëndrojnë në Afganistan, kështu që po i largon nga duart e talebanëve. Nga kjo pikëpamje mendoj se Shqipëria në këtë histori do të ketë një kontribut të vogël. Ne vërtet jemi anëtar në NATO, por duke qenë se jemi anëtar i vogël, nuk marrim ne vendimet. Kështu që, unë besoj se ardhja e afganëve në Shqipëri nuk do të ketë problem për Shqipërinë dhe sigurinë tonë kombëtare. Siguria kombëtare e Shqipërisë nuk rrezikohet nga ardhja e afganëve në vendin tonë. Siguria kombëtare e një vendi rrezikohet nga gjëra të papritura dhe të paparashikuara, por nuk rrezikohet nga një ngjarje të bërë brenda NATO. Bisedimet me NATO për të pranuar edhe Shqipëria afganë është në rrafshin simbolik, pasi në përgjithësi emigrantët nuk e pëlqejnë Shqipërinë për shkak të kushteve që kemi, pasi shqiptarët ikin për vete thonë ata dhe këta të fundit nëse do të vinë të strehohen këtu, do të jenë në mënyrë të përkohshme.
-Ditët e fundit, ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë hapur kundër nismës “Ballkan i Hapur” dhe në favor të qeverisë së Kosovës së drejtuar nga Albin Kurti. Si ju duket dashuria e Berishës për Kosovën?
Fakti që ish-kryeministri Sali Berisha ditët e fundit po shfaqet kundër nismës “Ballkan i Hapur” dhe si një politikan që është pro-Kosovës, për mua është një dashuri e shtirur. Tani Berisha ka si kryefjalë vetëm mbrojtjen e interesave të tij dhe si hyn në sy asnjë gjë. Çdo përpjekje dhe mbrojte që Saliu po i bën Kosovës është false. Me atë që i ndodhi Berishës me amerikanët, të cilët e shpallën person “non grata”, së bashku me familjen e tij, ai tashmë është në problemet e interesit personal në çdo veprim që bën. Shiko. Sali Berisha nuk e ka vrarë kurrë mendjen për Kosovën, si kur ka qenë në pushtet dhe në opozitë. Rasti i Rambujesë ishte rast klasik, kur Saliu doli hapur kundër Kosovës. Berisha ishte kundër nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë 22 vite më parë. Madje, ajo që e thellon skandalin ishte fakti se Berisha krijonte probleme në Shqipëri, për të tërhequr vëmendjen e shqiptarëve dhe botës nga veprimet antishqiptare të Millosheviçit në Kosovë.
-A ka bashkëpunuar ish-kryeministri Sali Berisha me ish-presidentin jugosllav, Sllobodan Millosheviçin gjatë kohës që ishte në pushtet?
Nuk po hyj në ato detaje, por sot që flasim dhe po të lexojmë sjelljen e Berishës shihet qartë se ai ka si synim vetëm mbrojtjen e interesit të tij. Sali Berisha nuk e ka vrarë kurrë mendjen për Kosovën dhe atëherë kur duhet ta vriste, jo sot që ai është askushi dhe në luftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Berisha gjithmonë dashurinë e tij për Kosovën e ka pasur të shtirur dhe tashmë e ka akoma më shumë. Sa i takon pyetjes suaj me sa e mbaj unë mend Rambujenë, di që Sali Berisha ka qenë kundër. Saliu ka pasur lidhje me Millosheviçin. Njerëzit e tij të afërt kanë takuar Millosheviçin drejtpërdrejt dhe ndërkohë Berisha ka penguar luftën e Kosovës me të gjitha mjetet që kishte në dorë. Kjo është skandaloze. Mbaj mend po ashtu edhe thyerjen e embargos nga ana e Berishës, i cili në mënyrën më të turpshme asokohe ka dhënë ca shpjegime absurde që vetëm ata militantët e tij mund ta besojnë, ata që e adhurojnë. Berisha ka thënë e thyem embargon që të mos kishin ftohtë kosovarët dhe t’i furnizonim me naftë. Harron Berisha që naftën ua çoi serbëve, duke dalë kështu hapur kundër SHBA-ve, NATO dhe Bashkimit Europian. Kështu që troç fare Sali Berishës nuk ia ndien për interesat e Kosovës, por ai mendon vetëm për interesat e tij. Nga ana tjetër edhe sa u takon raporteve Berisha-Kurti, dua të shtoj se Saliu e mban veten i djathtë, Albini është ekstrem i majtë, kështu që të gjitha prononcimet që ai bën në favor të qeverisë së Kosovës në lidhje me qëndrimet e kësaj të fundit për “Ballkanin e Hapur”, janë falso.
-Po UÇK-në gjatë luftës së Kosovës me Serbinë, e ka mbështetur ish-kryeministri Sali Berisha?
Absolutisht jo! Sali Berisha ka qenë armik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Berisha e urrente UÇK-në. Është fakt që shumë nga figurat kryesore të UÇK-së janë përndjekur dhe arrestuar në periudhën e “presidencës Berisha”. Pjesa më e madhe e luftëtarëve të dy grupeve, që qëndruan për disa kohë në Shqipëri në atë periudhë, u arrestuan nga serbët sapo shkelën në Kosovë. Berisha e di shumë mirë që ai ka punuar kundër Kosovës në shumë plane, sikundër janë takimet mes Saliut dhe Gazidedes me Arkanin. Këto takime kanë ndodhur, pavarësisht se Berisha i mohon.
-Le të dalim pak nga politika e jashtme dhe le të përqendrohemi te zhvillimet politike në vendin tonë. Më 9 shtator mblidhet Parlamenti i ri, ndërkohë që ish-kryeministri Sali Berisha pavarësisht shpalljes “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe presionit në rritje të amerikanëve dhe veçanërisht të ambasadores së SHBA në Tiranë, s’ka ndërmend të dorëzojë mandatin e deputetit dhe për rrjedhojë të pensionohet politikisht. Keni një koment?
-Pavarësisht se qejfi ia ka dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet, për mua ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të futet në Parlament si deputet.
-Po sipas jush pse SHBA e shpalli “non grata” Berishën?
Shiko, unë e kam thënë edhe më herët për gazetën tuaj, se shpallja “non grata” e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për mua është një vendim plotësisht i merituar dhe i justifikuar për ata 2 faktorë që ka përmendur Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken. Zoti Blinken në mesazhin e tij në 19 maj të këtij viti dhe që është vendim, e tha prerë dhe qartë se: “Veprimet korruptive të ish-Presidentit Sali Berisha minuan demokracinë në Shqipëri. Dhe nisur nga kjo shpall publikisht Berishën dhe familjen e tij të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA. Ne qëndrojmë të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”. Kështu që nëse e lexojmë me kujdes këtë vendim të DASH, Saliu akuzohet hapur nga amerikanët për korrupsion dhe si pengues i demokracisë, ndërkohë që ata si bazë dhe hetime për Berishën në këto dy drejtime janë fokusuar. Pengesë e demokracisë që partneri jonë strategjik, siç është Amerika akuzon Saliun është edhe sjellja e bërë nga Berisha si në ‘97 apo Grushti i Shtetit i provokuar nga Berisha dhe shpura e tij në ‘98. Dhe janë madje gjithë ato ngjarje që kanë mbetur të rëndësishme në histori dhe në situatën post komunizëm, në të cilat kontributi i Berishës ka qenë direk, pasi ka qenë personazh kryesor në Partinë Demokratike dhe politikën shqiptare. Gjithashtu janë ngjarjet e “21 Janarit”, Gërdeci, afera e CEZ, e pafund krime të tjera të kryera nga Berisha, pra me urdhër të tij, që ndikuan dhe bënë që DASH të kopsiste dosjen për Saliun. Për mua, por edhe amerikanët “Korrupsioni dhe minimin e demokracisë” i etiketoj si figura krimi, kështu që ata morën këtë vendim. Unë nuk çuditem që Berisha u shpall person i padëshiruar nga amerikanët. Kjo pasi problemi është që tani u krijuan kushtet dhe amerikanët u hodhën në veprim. Tani është koha që drejtësia të flasë fjalën e saj. Se shoh që po diskutohet sot dhe madje shumë që jo pse u mor vendimi nga Departamenti Amerikan i Shtetit tani, e pse nuk u mor më parë, pasi do na kishin shpëtuar, e më the të thashë. Jo, ju them. Pasi çdo gjë ka kohën e saj. Ngjarjet e mëdha në historinë e një vendi nuk ndodhin se kërkon njëri apo tjetri, por këto ngjarje ndodhin dhe kanë ecurinë e tyre. Tani që flasim kemi një sistem drejtësie të ri dhe të pavarur nga politika. Kështu që tani vendimi i DASH për Berishën është edhe akuzë, që vë në lëvizje drejtësinë në vendin tonë. Pra, unë po them për ju një detaj që amerikanët mund ta kishin shpallur “non grata” Sali Berishën edhe më parë, pasi dosjen atij ia kanë kopsitur me kohë. Por amerikanët janë strategë dhe duke parë që Sali Berisha para se të miratohej reforma në drejtësi dhe niste procesi i vetingut kishte pushtet absolut mbi prokurorët dhe gjyqtarët, ata u frenuan disi, pasi po të ishte publikuar vendimi në atë kohë, pra kur drejtësia ishte e kapur nga Saliu, kjo gjë do të rezultonte flluskë sapuni. Kështu që amerikanët pritën momentin dhe tani shpallja “non grata” në një farë mënyrë është edhe hedhja e Berishës në gojën e SPAK-ut. Problemi tani është shumë serioz dhe organet e reja të drejtësisë janë përballë një sprove të madhe, pasi Sali Berisha është “peshkaqen” dhe që i ka ardhur koha të japë llogari. Kaq.
-Dakord, por Berisha pretendon se SHBA është keqinformuar nga Rama dhe Soros, kështu që në cilësinë e ish-kreut të SHISH që keni bashkëpunuar me amerikanët dhe keni shkëmbyer informacione, më lejoni t’ju pyes se a vepron Uashingtoni pa pasur të dhëna të sigurta?
Ore jeni në terezi që besoni Berishën! Sali Berisha ka rrjedhur dhe këtë bindje ma përforcon fakti që ai pretendon se gjasme dosja e tij është gatuar në Tiranë nga Edi Rama dhe Xhorxh Soros. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shteti më i fuqishëm dhe më serioz në botë. Amerikanët nuk veprojnë pa pasur prova dhe fakte. Kështu që dua t’ua ripërsëris edhe njëherë, pasi ua kam thënë që them se Uashingtoni bashkëpunon me Tiranën, por ata çdo gjë që bëjnë e bëjnë bazuar në prova. Provat dhe faktet amerikanët i kanë nga shërbimet e tyre inteligjente dhe institucionet e tyre ligjzbatuese dhe nuk presin nga Tirana. Mos e dëgjoni Berishën që thotë informacionet kanë dalë nga tavolina e Edi Ramës, pasi dosja e Berishës në Amerikë është voluminoze. Që ta keni të qartë një herë e mirë, amerikanët kanë shumë më tepër informacione për çdo politikan apo pushtetar dhe individ shqiptar apo edhe kombësie tjetër, më shumë se vendi dhe institucionet e origjinës. Amerikanët kanë në dorë telefonata, emalit e botës, etj. Amerikanët nuk presin nga ne, ata vërtet bashkëpunojnë, por kur vjen puna për drejtësi ata duan drejtësi dhe prandaj e bënë shembull Saliun. Kështu që harrojeni se vendimet amerikanët i marrin pa u bazuar në fakte dhe prova.
-Keni një koment për raportet Berisha-Basha?
Jo, pasi nuk jam në brendi të situatës brenda Partisë Demokratike.
-Po padinë e zotit Berisha ndaj Sekretarit Blinken si e shihni?
E kam thënë disa herë që vendimi i Sali Berishës për të paditur për shpifje Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Gjykatën Korreksionale të Parisit është një blof.
-Në korrik të këtij viti u shënuan plot 5 vjet nga miratimi i reformës në drejtësi. Si e shikoni ecurinë e reformës dhe a mendoni se ka ardhur koha që të shohim zyrtarë të lartë të dalin para drejtësisë?
Reforma në drejtësi po bën punën e vet dhe tashmë ajo është në dorën e njerëzve të drejtësisë dhe ka dalë nga politika. Kështu që nga kjo pikëpamje duhet që institucionet e drejtësisë ku ka mungesë të bëjnë atashimet dhe të fillojë puna. Qëllimi i reformës në drejtësi kjo ishte, pastrimi i pallatit të drejtësisë nga të korruptuarit dhe inkriminuarit, si dhe ngritja e organeve të reja të drejtësisë siç është Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Fakti që SPAK dhe BKH janë ngritur, mendoj se ka ardhur koha të mos kemi vonesë, por të shikojmë më në fund vënien e drejtësisë në Shqipëri dhe fund pandëshkueshmërisë. Sa i takon pyetjes suaj që ka ardhur koha për goditjen e “peshqve të mëdhenj”, mendoj se sigurisht po. Por unë nuk nisem me “peshq” të mëdhenj apo të vegjël”, unë di të them që SPAK dhe BKH të bëjnë punën e tyre dhe ata që shpreson gjithë populli shqiptar, që duan ta shohin drejtësinë e re në Shqipëri të pavarur dhe larg politikës, që madje të funksionojë në favor të qytetarëve të Shqipërisë dhe drejtësisë së pastër në vetvete.
-Si e shikoni mandatin e tretë të Partisë Socialiste dhe kush janë pritshmëritë tuaja për qeverinë e re “Rama 3”?
Po çfarë rëndësie ka pritshmëria, në një kohë që është e njëjta qeveri, për sa kohë që është i njëjti kryeministër. Kështu që të gjitha të tjerat janë pak të rëndësishme dhe nuk ia vlen të diskutosh për këtë çështje, pasi kjo është puna komplet e Edit dhe askush nuk mund të lexojë se çfarë ka ndërmend Rama të bëjë. E rëndësishme është që të jetë një qeveri e popullit dhe për popullin.
-Po për heshtjen e presidentit Ilir Meta keni një koment?
Ilir Meta çfarë kishte për të thënë i tha. Meta i ka thënë të tëra dhe tani është vetëm në pritje të Gjykatës Kushtetuese se çfarë vendimi kjo e fundit do të japë për të. Problemi është tani se Meta nuk ka çfarë të thotë më, pasi është konsumuar, pasi shkoi deri aty sa ishte absurde dhe iu turr Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu që heshtja e tij është deri diku normale, pasi ai është konsumuar, por edhe frikësuar. Kaq!
Diskutime rreth kësaj post