Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi deklaroi ditën e djeshme se opozita e kishte mundësinë të jepte emrin e duhur sa i takon procesit për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës, ndërsa bëri përgjegjës ish-kryeministrin Sali Berisha për krizën që ka mbërthyer opozitën dhe Partinë Demorkatike. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, Klosi theksoi dje se përçarja brenda PD erdhi sepse shumë individë panë interesat e tyre dhe Berisha sipas tij, u nxitua duke e bërë partinë fakt të kryer ndërsa Apeli ende nuk ka marrë vendim të formës së prerë.
“PD ka shumë probleme, tashmë është radha e PS për të zgjedhur presidentin. Uroj që të ketë konsensus deri në fund, duhet një kandidaturë e mirë që ta vërë Ramën në vështirësi. Çdo gjë do një garë, opozita e kishte mundësinë të zgjidhte emrin e duhur. Kam dhe unë një emër si gjithë të tjerët, s’dua të gaboj rëndë dhe ta lëmë se edhe 3 ditë është. Nuk e njoh aq mirë PD aq sa të jap mend për të, di çfarë ka ndodhur jashtë por jo si kanë rrjedhur ujërat brenda. Gjykata nuk e ka thënë ende fjalën e saj, Berisha u ngut, pa pritur Apelin e bëri fakt të kryer aktivitetin e tij politik. E bëri fakt të kryer që partia është ajo, ndërkohë Apeli se ka thënë fjalën e vet. Berisha duhet t’i mblidhte, t’i bashkonte demokratët. Nuk erdhi përçarja nga një forcë e mbinatyrshme por nga interesa individuale të secilit”, deklaroi ai.
Më herët zoti Klosi theksoi se Meta dhe Berisha janë bashkë.
“Dëgjova edhe një deklaratë të tij këto ditë që do përpiqet që të luftojë regjimin që është në vend, ndërsa të njëjtën gjë e ka thënë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, kështu që kjo nënkupton se edhe mund të ketë. Ai e ka pak jo të lehtë që ta thotë hapur se do të ketë një bashkëpunim me Berishën. Ai ka bashkëpunuar me Berishën në fakt, kujtojë këtu zgjedhjet e fundit të pjesshme lokale në vend që u zhvilluan pak kohë më parë, ku Meta bëri që të marr pjesë në votime sepse ai nuk kishte të drejtë. Kështu që unë nuk çuditem me asgjë. E dimë prej kohësh që ai ka dashur që të marr drejtimin e opozitës”, nënvizoi ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi.
Diskutime rreth kësaj post