Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë, Fatos Klosi, ka rrëfyer paratë që ish-kryeministri i qeverisë në mërgim të Kosovës, Bujar Bukoshi, i kishte dhuruar SHIK-ut të viteve ’90, që drejtohej nga Bashkim Gazidede.
Gjithashtu, Klosi thotë se gjeti në kasafortë gjysmën e atyre parave që ishin mbledhur nga donacionet e shqiptarëve për Kosovën dhe se Gazidede ia kishte lënë gjithçka me shënim se si ishin shpenzuar.
“Unë kur mora detyrën, gjeta në kasafortën e zyrës time një shumë goxha të madhe me marka, që Bukoshi ia kishte dhuruar SHIK-ut. Dhe, asnjëherë nuk e kuptova pse e kishte me kaq merak, Bukoshi të ndihmonte SHIK-un e Berishës?”, deklaroi ish-kreu i shërbimit sekret, Fatos Klosi, në emisionin “FAKTE me Adnan Merovcin” në Klan Kosova.
Ai ndër të tjera, tregon nëse ka një shpjegim për këtë.
“S’e di! Nuk e kam shpjeguar asnjëherë. Unë e kam deklaru me kohë këtë”.
Klosi ka bërë të ditur dhe shumën e parave që kishte gjetur në zyrën e tij.
Ai tha se gjithçka ishte me një dokumentacion të rregullt.
“Po more, 600 mijë marka. Ndoshta nuk është një shumë, shumë e madhe, por mua më bëri përshtypje. Shuma ka qenë 600 mijë marka. Më bëri përshtypje edhe fakti që mua ma lanë diferencën e kësaj shume, me saktësi shumë të madhe. Përse ishte harxhuar, kaq, kaq… Ishte konsideruar serioze kjo gjë, nuk ishte ndonjë gjë, që kishin pas qef me fsheh, ose me përfitu prej saj. E kam thënë dhe këtë! Edhe Gazidede kishte qenë shumë korrekt, mi kishte lënë shënimet, se nga kjo shumë pse ishin shpenzuar, çka ishin shpenzuar. Dhe, unë gjeta gati gjysmën”, tha Klosi.
Diskutime rreth kësaj post