Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli komentoi negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian, ndërsa theksoi se beson fort që Brukseli do ta gjejë forcën për të dhënë zgjidhjen. Pak ditë më parë Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE, i mbledhur në Luksemburg vendosi të shtyjë datën për konferencën e parë ndërkombëtare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për Shqipërinë nuk kishte asnjë kundërshti nga 27 vendet anëtare, por pengesë këtë herë u bë Maqedonia e Veriut, pas vetos që i vendosi Bullgaria. Por gjatë një prononcimi për mediat, kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme Kodheli u shpreh se mundësia për t’u zgjidhur mund të vijë shumë më shpejt nga çfarë ne e mendojmë.
“Bazuar në propozimin francez, të gjithë kapitujt që do hapen më tutje, do jenë me metodologjinë e re. Mbase mund të ndodh që mund të ketë ndryshime që do kenë të bëjnë me veton. Ne shprehim dëshirën e mire që kjo të ndodhë dhe ne si Shqipëri duhet të fokusohemi tek gjërat tona. Mendoj se mund të gjendet zgjidhje edhe pa pasur ndryshime për veton. Ndoshta mundësia do të vij shumë më shpejt nga ajo që ne mendojmë. Vazhdoj të besoj fort se Europa do ta gjejë forcën për ta vënë Bullgarinë në presion pozitiv”, deklaroi ajo.
Më tej zonja Kodheli u shpreh se është e padrejtë që vetoja bullgare të pengojë të ardhmen e një vendi, ndërsa theksoi se Maqedonia me Shqipërinë kanë pasur një rrugë të përbashkët dhe këtë gjë nuk e kemi vendosur ne por Europa.
“Ka pasur një angazhim maksimal nga Presidenca portugeze, shumë serioz. Situata mua më duket komplekse. Mendoj se ka një politikë për konsum të brendshëm dhe shpesh here pamundësia për të fituar zgjedhje, kthehet në një retorikë nacionaliste me shpresën për të fituar sa më shumë vota, kjo është një pjesë e vogël në përgjigje për Bullgarinë. Rrugëtimi ynë me Maqedoninë ka qenë i përbashkët. Maqedonia ka bërë shumë sakrifica për të arritur deri këtu”, nënvizoi deputetja Kodheli.
Diskutime rreth kësaj post