Anëtari i Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli, i cili mori pjesë në Kuvendin e 11 Dhjetorit të ish-kryeministrit Berisha, ka vendosur të marrë pjesë edhe në Kuvendin e 18 Dhjetorit të PD të thirrur nga Lulzim Basha.
Në një prononcim për Klan News nga Pallati i Kongreseve ku zhvillohet Kuvendi i18 Dhjetorit, Kadilli shprehu edhe njëherë qëndrimin e tij se Partia Demokratike duhet të bashkohet ndërsa theksoi se duhet të largohet Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha duhet të mos kandidojë për kryetar të PD.
Fatbardh Kadilli: “Do dëshiroja që ky Kuvend të mos kthehej në Kuvendin e ndarjes. PD nuk mund ta durojë dot ndarjen në 2 copa. Ne na duhet një parti e bashkuar, nuk na duhet një parti e ndarë. Ky është qëllimi pse jam këtu. Ata që kanë mundësi ta kuptojnë, nuk duhet të ndahet Partia Demokratike. Çdo lloj akti ndarës dëmton Partinë Demokratike. Të largohet Basha, mos kandidojë Berisha dhe të shkojmë drejt një procesi për të zgjedhur një ekip të ri, të pastër politik. Kjo është zgjidhja. Demonstrim force nuk ka kuptim mes njëri-tjetrit, edhe ato çfarë kanë ngjarë nuk janë të mira. Unë uroj që vendimet të jenë të matura dhe t’i shërbejnë bashkimit. Vendimet përjashtuese nuk i shërbejnë bashkimit, si nga njëri krahë si nga krahu tjetër”.
Pyetje: Është zgjidhje për ju largimi i Lulzim Bashës?
Fatbardh Kadilli: “Padyshim. Hap rrugën e zgjidhjes. Por dhe vetëpërmbajtja e Berishës dhe moskandidimi i Berishës”.
Pyetje: Po rikthimin e Berishës në krye të PD si e shihni?
Fatbardh Kadilli: “Të dyja janë të këqija, si qëndrimi i Bashës si kryetar, si ardhja e Berishës. Nuk duhet të kthehet Berisha. Në qoftë se ne largojmë Bashën për të sjellë Berishën kemi ikur nga shiu në breshër”.
Kujtojmë se Fatbardh Kadilli mori pjesë edhe në Kuvendin e 11 Dhjetorit të iniciuar nga ish-Kryeministri Sali Berisha.
Diskutime rreth kësaj post