Nga Andi Bushati
Sa herë që vihet në provë thënia se historia kur përsëritet, mw shumë i ngjan një farse sesa një tragjedie, po aq herë ajo rrezulton e vërtetë. Këtë na kujtoji edhe dalja e fundit e Edi Ramës, pasi mori mbështetjen e çiftit Lu – Vlahutin për t’a zgjedhur kryeprokurorin tranzitor vetëm me votat e socialistëve. Të dy ambasadorët përsëritën sot një dokument këshillues të EURALIUS dhe OPDAT, që i sugjeronte kuvendit të Shqipërisë t’a emëronte pasardhësin e Adriatik Llallës qoftë edhe vetëm me 36 vota.
Natyrisht që këto prononcime ishin një shuplakë e fortë mbi fytyrën ende të paretushuar të opozitës, që pretendonte me të drejtë se kryeprokurori, qoftë edhe i pëkohëshëm, nuk mund të zgjidhet në kundërshtim me frymën e kushtetutës.
Por, e bukura e kësaj historie nuk ishte goditja e re mbi pretendimet e Lulzim Bashës. Interesantja qëndoron në përdorimin që asaj i bëri Edi Rama.
Menjëherë, sapo u publikuan dy mesazhet diplomatike, kryeministri i ribëri thirrje rivalit të tij për dialog, por këtë here, në ftesën e përsëritur, kishte një dozë të shtuar cinizmi dhe arrogance.
“Lulzim, mos u telendis deri në atë pikë që kushtetutën e vendit tënd të ta lexojnë të huajt, po hadjde t’i zgjdhim problemet bashkë në shqip” ishte mesazhi e kryeministrit. Në të ndihej triumfi i politikanit të sigurtë se dy diplomatët i kishte me vete, se ata edhe ligjin themeltar të shtetit do t’a interpretonin si i’a donte qejfi atij. Prandaj këto mesazhe tani i përdorte në mënyrë perfide për t’i thënë Bashës: “dorrëzou, se nuk ke ku të shkosh, je i kapur mat”.
Fatkeqësisht kjo skenë ngjan si dy pika uji me një të para pak kohëve, kur historia konsumohej në mënyrë tragjike.
Skena atëherë ishte zhvendosur në sallën e kuvendit të Shqipërisë. Në vend të Bashës, Rama po replikonte fort me Jozefina Topallin. Kjo e fundit, me nervin dhe pathosin karakteristik, po e akuzonte kryeministrin për kanabizimin e vendit, për avionët dhe skafet e drogës, për përfshirjen e njerzve të tij më të afërt në trafik.
Dhe e dini se kush qe përgjigjja e Ramës: “Po si ka mundësi moj Jozefinë, që nëse vendi do ishte i mbushur me kanabis, ShBA dhe BE, që nuk të falin për shumë më pak sesa kaq, të mos flisnin një fjalë? Si ka mundësi që Lu dhe Vlahutin të mos hapnin gojën nëse kjo do të qe reale?” përdori kryeministri si alibi çiftin e diplomatëve të famshëm (shiko videon poshte).
Vërtet, në atë kohë edhe përfaqsuesi i ShBA edhe ajo e BE, bënin sikur Shqipëria qe e pastër nga hashashi. Madje deri në atë periudhë deklarata më e fortë e Donald Lu-së, ishte ajo në anti-mitingun e organizuar për të goditur Dritan Zaganin, ku tha se kjo qeveri kishte bërë “një hap të madh përpara në luftën kundër drogës”.
Se sa reale, se sa pranë të vërtetës dhe se sa në shërbim të shqiptarëve qenë qëndrimet e diplomatëve në atë kohë, kjo nuk ka nevojë të komentohet. Atë nuk ka njeri me mend në kokë që nuk e ka kuptuar. Ky standart shumëkënd e bëri të ndihej i tradhëtuar, disa të tjerë i mërziti, ndërsa më radikalët i bëri të thërrasin: “janë të shitur”.
Natyrisht, në gjithë këtë tollovi pati dhe eksese. Askush nga ne nuk ka të drejtë t’i paragjykojë qëndrimet që marin diplomatët që kanë interesa të tjera dhe që në fund të fundit punojnë për vendet e tyre.
Por, ajo që ne kemi në dorë është të mos i shohim qëndrimet e tyre si kritete të së vërtetës. Të mos bëjmë qorrin dhe shurdhin, kur Edi Rama i përdor si alibi për të na ftuar ta lexojmë mbrapsh kushtetutën tonë.
Sepse, pikërisht si në gënjeshtrën e madhe për kanabisin, kryeministri po e përdor çiftin e pandarë të dy diplomatëve si dordolecë për të arritur qëllimin e tij. Sepse ai po pretendon se ajo që thanë Lu dhe Vlahutin, ka më shumë vlerë sesa leximi i thjeshtë i kushtetutës sonë nga sejcili prej nesh. Sepse ai po thotë se këtë herë, do të riprodhojë historinë tragjike të alibisë me hashashin.
Por, këtë herë, të gjithë e dinë se përsëritja është një farsë.
©Lapsi.al
Diskutime rreth kësaj post