Më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare Maqedonia ndodhet buzë greminës. Nacionalistët e VMRO-DPMNE refuzojnë ta lënë pushtetin, shkruan gazeta zvicerane «Le Temps».
Nga Jean-Arnault Dérens dhe Laurent Geslin
A po e kërcënon sërish Maqedoninë fantazma e luftës civile? «Kushtetuta dhe ndërgjegjja ime ma ndalojnë t’ia besoj formimin e qeverisë një personi ose një partie, programi i së cilës rrezikon sovranitetin, integritetin dhe pavarësinë e vendit», ka deklaruar të mërkurën e kaluar para medieve presidenti Gjorgje Ivanov, duke provokuar kështu një valë paniku. Dy ditë më parë, shefi i opozitës, Zoran Zaev, paraqiti listën prej 67 deputetëve që e mbështesin atë – nga 120 sa i ka parlamenti. Siç dihet Aleanca e Socialdemokratëve (LSDM) ka siguruar mbështetjen e 18 deputetëve të partive shqiptare.
Çdo mbrëmje që nga fillimi i javës, me thirrjen e organizatave të errëta nacionaliste, me qindra manifestues defilojnë nëpër rrugët e Shkupit, për të denoncuar këtë aleancë. Manifestuesit po kundërshtojnë çdo ndërmjetësim perëndimor, duke denoncuar «fashistët» e Bashkimit Europian dhe të NATO-s. Të martën, dy gazetarë të televizionit maqedonas A1 janë sulmuar brutalisht. Në janarin e kaluar partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni u mblodhën në Tiranë për t’u bashkuar rreth një «platforme» që kërkon të drejta më të mëdha për komunitetin e tyre, konkretisht njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare gjithandej në vend, ashtu siç është gjuha maqedonase. Këto kërkesa janë pranuar nga LSDM, por nacionalistët e VMRO-DPMNE në pushtet që nga vitit 2006, s’po prajnë së denoncuari ndërhyrjen e Shqipërisë fqinje në punët e brendshme të Shkupit si dhe «rrezikun separatist».
Megjithatë, VMRO-DPMNE vetë ka qeverisur gjithnjë me një partner shqiptar, dhe marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur në vitin 2001, parasheh të drejta të gjëra për pakicën shqiptare, e cila përbën 20 deri 25 për qind të popullsisë së vendit.
Të mërkurën kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës dënuan vendimin e presidentit Ivanov. «Gjuha shqipe nuk është gjuhë e armikut, por e popullsisë së një pjese të Maqedonisë», u indinjua nga Tirana Edi Rama. «Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni», tha ai.
Gjatë zgjedhjeve të 11 dhjetorit që shkoi, VMRO-DPMNE përjetoi një kundër-performansë të ashpër, sepse i fitoi vetëm 51 deputetë – gjë që ishte e pamundur ta siguronte shumicën. Këtë disfatë ajo e përpiu me vështirësi.
«Që nga zgjedhjet e dhjetorit VMRO-DPMNE ka përshkallëzuar presionin kundër shoqërisë civile, duke e akuzuar të jetë kolonë e pestë e partive të huaja», ankohet Fani Karanfilova, drejtoreshë e Fondacionit të Shoqërisë së Hapur në Maqedoni.
Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, njeriu i fortë i VMRO-DPMNE, pati paralajmëruar në janar se duhej bërë «desorosizimin» e vendit dhe për pasojë xhirollogaritë e 22 shoqatave joqeveritare u kontrolluan nga administrata tatimore.
Përballë ashpërsimit të regjimit të VMRO-DPMNE, opozita doli në rrugë për t’u dëgjuar zëri i saj. Gjatë pranverës së vitit 2015 dhe 2016, në Maqedoni pati një lëvizje të gjerë manifestimesh që tejkalonte larg radhët e socialdemokratëve. U desh ndërmjetësimi i Bashkimit Europian (BE) për t’ia imponuar partisë në pushtet zgjedhjet e parakohshme në dhjetorin që shkoi, ani se Brukseli ishte relativisht pak aktiv përballë krizës në të cilën po zhytej vendi.
Prioritet absolut i Bashkimit Europian ka qenë gjithnjë stabiliteti i Maqedonisë, vendit nëpër të cilin kalonte rruga e refugjatëve që tentonin të shkojnë në Europën Perëndimore.
Regjimi i Nikolla Gruevskit u bë i domosdoshëm, i cili thelloi bashkëpunimin me Rusinë e Vladimir Putinit si dhe me vendet konservatore evropiane të «grupit të Vishegradit».
Zoran Zaev ka denoncuar «puçin kushtetues» të presidentit të Republikës, duke u bërë thirrje simpatizantëve «të mos bien pre e provokimeve». Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily, përmes Twitterit u shpreh «i preokupuar se Maqedonia po largohej nga principet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, vlera themelore të NATO-s». Dhe meqë në Ballkan çdo rast është i mirë për lojëra e mashtrime diplomatike, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë nuk vonoi për t’u kundërpërgjigjur, duke theksuar se është «e domosdoshme për t’i dhënë njëherë e mirë fund intervenimit të huaj në punët e Maqedonisë».
Të premten pasdite komisarja europiane, Federica Mogherini, takoi në Shkup përfaqësuesit e të gjitha partive politike, por nuk arriti të gjejë një zgjidhje për krizën.
Që nga viti 2001, asnjëherë vendi nuk ka qenë më afër humnerës. «Shoqëria jonë është përçarë thellësisht përmes dallimeve politike», vlerëson Aleksandra, aktiviste e shoqërisë civile në Kumanovë. «Nuk e besoj se konfrontimet ndëretnike janë të mundshme, por brenda komunitetit maqedonas, tensionet veç po përthellohen.»
Frika, gjithnjë e më tepër, është ndjesia që më së shumti e ndajnë mes tyre banorët e vendit.
Diskutime rreth kësaj post