Studiuesi dhe gazetari Ilir Ikonomi, duke folur për librin e tij të dedikuar Fan Nolit, theksoi se si ai donte që Shqipëria në vitin 1918 të futej nën protektoratin e Amerikës. I ftuar në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, ai theksoi se madje propozuan që guvernator të vihej një president amerikan.
“Fan Noli ishte i pari, sipas meje, që kërkoi që Shqipëria të vihej nën protektoratin amerikan dhe më pas u bë si modë mes këtyre krerëve të Shqipërisë të asaj kohe që të kërkohej që Shqipëria të vihej nën Amerikën. Këta e quanin nën kujdestarinë amerikane. Kërkonin një guvernator amerikan, madje Konica në një moment propozonte që si guvernator të vihej ishte presidenti i Amerikës, Tedi Rusvelt. Noli i shkruan një momerandum presidentit Wilson, i cili ka 10 pika. Pika e nëntë e 20 marsit `1918 kërkon që Shqipëria të vihet nën kujdestarinë amerikane, dhe teksti ka qenë pak i vështirë për t’u gjetur. Kam variantin italian dhe francez por jo anglez dhe kërkoj në librat e vjetër të kohës së komunizmit se duhet ta kishte. Ata flisnin shumë për Nolin mirë në atë kohë. E gjej atë memorandum, ishin të gjitha pikat përveç pikës së 9-të. Ishte nëntë dhe bosh. Ishte dëshira e Nolit që Shqipëria të vihej nën kujdestarinë amerikane.”, tha ai.
I pyetur për lidhjen kaq të madhe të shqiptarëve me Amerikën, që vijon edhe sot e kësaj dite, Ikonomi shtoi:
“Unë kam reflektuar shumë për këtë. Janë dy gjëra, e para në SHBA, shqiptarët hanin bukë dhe fitonin para për t’i investuar kur të ktheheshin. E dyta, Amerika është vendi i lirive. Po të marrim kishën shqipe që ngriti Noli, kush të të lejonte në vende të tjera, të mos kishte asnjë problem që të ngrije një kishë në gjuhën tënde dhe jo vetëm kaq të përktheje liturgjinë nga greqishtja në gjuhën shqipe. Pse? Sepse kushtetuta amerikane e ka shkruar qartë lirinë e fesë. Por është edhe liria e shtypit. Gazeta Dita botonte çdo lloj opinioni. Kjo i bënte shqiptarët të kishin besim tek Amerika dhe ta donin me shpirt dhe Noli ka folur shpesh për këtë. Edhe pse përgjohej nga qeveria amerikane, edhe pse nuk e lejoi të shkonte në konferencën e Parisit, ai përsëri fliste mirë për liritë amerikane.”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post