Ministrja e Arsimit Evis Kushi u ka bërë thirrje këtë të mërkurë institucioneve të pushtetit vendor që të marrin masa për riparimin e kaldajave dhe sistemeve të tjera ngrohëse që përdoren në shkolla, në rang republike, për shkak të temperaturave nën 0 gradë.
“[…] u kemi kërkuar bashkive të marrin masa për 51 shkolla ku ngrohja bëhet përmes sistemit elektrik por ngarkesa në rrjet ka sjellë vështirësi për ngrohjen optimale të tyre. Gjithashtu, i kemi informuar që të ndërhyjnë në 21 shkolla, ku sistemi i kaldajës ka nevojë për riparime apo furnizim me lëndë djegëse”, shkruan ministrja e Arsimit në njoftimin e saj.
Mirëpo, ajo që bie në sy në reagim është se veç këtyre shkollave që kanë probleme me ngrohjen, disa të tjera as nuk janë pajisur me sisteme ngrohje.
“Përsa i takon situatës në terren dhe raportimeve në mënyrë të vazhdueshme nga zyrat arsimore, kemi kërkuar në mënyrë urgjente pajisjen me sistem ngrohjeje të 28 shkollave nga ana e bashkive respektive”, vijon njoftimi i Evis Kushit.
Pra, ministrja e Arsimit kujtohet në mes të acarit dhe të dimrit për ngrohjen në shkolla, në një kohë që verifikimet duhet të ishin bërë disa muaj më parë, të paktën në tetor-nëntor nga drejtorët e këtyre institucioneve arsimore dhe Zyrat Arsimore përkatëse.
Diskutime rreth kësaj post