Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, foli ditën e djeshme në një konferencë me gazetarët për analizën e vitit 2022 si dhe për disa projekte të këtij viti. Duke folur edhe për problematikat, lidhur kjo me ankesat e nxënësve dhe prindërve për testet e provimeve, Kushi nuk u ndal gjatë te pjesa e sportit. Ministrja foli për ndërtimin e tri stadiumeve të reja dhe zbuloi se çdo gjë është në fazën e projektimit.
Ajo që ra në sy ishte koncepti që do të ndiqet për këto stadiume, pasi nuk do të jenë thjesht stadiume, por në to do të gjendet edhe një qendër tregtare apo hotel e biznese të tjera, ashtu siç u shpreh edhe Kushi:
“Për vitin 2023, lajmi më i bukur ishte ai i tri projekteve të reja, me tri stadiume që do të ndërtohen në Durrës, Vlorë dhe Korçë. Jemi në fazën ku do të bëjmë projektimin.
Natyrisht do të jetë një konkurs i hapur dhe transparent ku do të synohet që të na vijnë studiot më të mira, fillimisht për projektimin dhe konceptimin, sepse nuk duam thjesht stadiume, por duam sipas konceptit të qyteteve multicentrike dhe qendrave multifunksionale, ne të kemi jo vetëm stadium, por edhe një qendër tregtare, shërbime hotelerie apo shërbime biznesi, në mënyrë që këto stadiume apo komplekse le të themi, të sjellin një hov, një gjallëri jo vetëm për sportin, por edhe për qëndrimin e vazhdueshëm. Shumë shpejt do të hapim edhe procedurat”, përfundon Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi.
Diskutime rreth kësaj post