Sikur euro të kishte qenë aeroplan, tani do të kishte rënë zilja e alarmit. Në këtë nivel të ulët sa tani euro nuk ka qenë asnjëherë në 20 vitet e fundit. Vlera e euros tani është barazuar me dollarin.
Euroja monedha e përbashkët europiane ka pasur për herë të fundit vlerën sa një dollar në dhjetor 2002.
Edhe të martën (12.07) paradite euro mbërriti aty, pas një rënieje prej disa javësh: Një vit më parë monedha europiane ishte 1,18 dollarë. Ekspertët nuk e përjashtonin mundësinë që euro mund të arrinte sërish barazvlefshmërinë, paritetin me dollarin.
Vlerën më të ulët euro e ka pasur më 5 korrik 2001, kur shënoi 0,8380 dollarë.
Janë shqetësimet lidhur me recesionin ato që e rrëzuan monedhën e përbashkët europiane. Sidomos rreziku i ndalimit të gazit u ka ngjallur frikën tregjeve financiare, dhe që nga e hëna (11.07) ndërprerja e gazit është bërë realitet. Ky ndalim do i zinte frymën koniunnkturës në Gjermani dhe në Europë. “Gjendja është ende e mirë, por ajo është delikate”, tha Ulrich Leuchtmann, ekspert i valutave në radion gjermane, Deutschlandfunk.
A sjell barazvlefshmëria përfitime?
Një monedhë e dobët mund të sjellë edhe përfitime, ajo ndihmon ndërmarrjet e eksportit. Sepse në fund të fundit mallrat vendase do të ishin më të lira për vendet e tjera, kështu që do të rriteshin shitjet. Njëkohësisht jashtë vendit eksportohet edhe fuqia blerëse, e cila mund të blejë më lirë mallrat gjermane dhe europiane.
Por një përfitim i tillë për ndërmarrjet vendase eksportuese ekziston sa kohë që ndërmarrjet gjermane i prodhojnë mallrat krejtësisht në Gjermani ose në zonën e euros dhe pastaj i eksportojnë në vendet e tjera, thotë Sonja Marten, eksperte e valutave në Bankën DZ: “Kur prodhimet gjysmë të gatshme merren nga vendet e tjera që nuk janë anëtare të BE-së, ose kur prodhohen me shumë energji, atëherë kjo llogari nuk del më me fitim,” mendon ajo dhe kujton se sidomos prodhimet energjetike llogariten me dollarë.
Inflacioni i bën presion euros
Çmimet në rritje të energjisë kanë qenë një nga arsyet kryesore për bilancin negativ të tregtisë së jashtme gjermane në muajin qershor, gjë që bën që të importohet më shumë se sa të eksportohet, pra edhe gaz dhe naftë.
Çmimet e larta të importit sidomos të energjisë nxisin inflacionin. Dhe kjo nuk i pëlqen Bankës Qendrore Europiane. Sepse ajo do që duke bërë rritjen e planifikuar të përqindjeve të interesit të kundërveprojë ndaj shtrenjtimit të madh.
Por njëkohësisht ajo nuk do të ta bëjë këtë sa më shpejt, sepse ekziston rreziku i ndrydhjes së koniunkturës. Prandaj Marten hamendëson, se “ajo mund të përpiqet fillimisht të ndërhyjë verbalisht”. Por nga përvoja dihet se kjo gjë tërheq spekulantët, të cilët brenda disa ditësh mund ta ulnin sërish kursin e euros. Por luhatjet në rënie të ditëve të fundit janë të pazakonta: “Kjo tregon për nervozitetin e tregjeve,” thotë Marten. Prandaj ajo nuk e përjashton mundësinë e barazimit të euros me dollarin ose rritjen afatshkurtër të vlerës së euros edhe nën këtë kufi.
Frikë transatlantike recesioni
Që euro është kaq e dobët kundrejt dollarit ka gjithnjë të bëjë edhe me vlerësimin e monedhës amerikane. “Banka kombëtare e SHBA-së Fed, është sërish duke vendosur ritmin,” shpjegon ish krye-ekonomi i Allianz-ës, Michael Heise. Ajo lufton kështu inflacionin dhe ka filluar të rrisë normat e interesit.
Kjo frikësoi gjatë kësaj faze bursat, të cilat tremben nga recesioni në SHBA, thotë Marten.
Por tani sytë janë hedhur drejt Europës: Sepse nëse bie ekonomia në SHBA, atëherë recesioni do të prekë edhe Europën.
Euro është vlerësuar nën vlerën e saj
Ndërkohë tregjet financiare i bëjnë llogaritjet me mënyrën e kujdesshme të Fed, vëren Michael Heise, i cili është tani krye-ekonomist i HQ Trust. Nëse Banka Qendrore Europiane do të bëjë tani hapin e parë në lidhje me normat e interesit dhe pastaj do të hedhë hapat e tjerë duke rritur normën e interesit mbase më shumë se sa është menduar deri tani, atëherë kjo mund të ndihmonte sërish kursin e euros, mendon ai.
Atëherë euro mund të arrijë shpejt tek 1,10 dollarë ose ndoshta edhe më shumë. Ai mendon se fuqia blerëse e dollarit është aktualisht e mbivlerësuar. Tregjet janë shumë nervoze edhe për shkak të pasigurisë. Nëse gazi do të vazhdojë të rrjedhë nga Rusia, atëherë kjo do t’i vinte në ndihmë edhe euros, shpreson Ulrich Leuchtmann nga banka Commerzbank. “Një kurs kaq i ulët i euros nuk është i justifikuar.”
Diskutime rreth kësaj post