Euro me kartmonedhë të re në qarkullim
Banka Qendrore Evropiane zëvendëson kartmonedhat e brezit të parë të Euros. Pas 5 dhe 10 Eurove tani është hedhur në qarkullim edhe kartmonedha e re e 20 Eurove. Ajo do të jetë më e sigurtë ndaj falsifikimeve.
Monedha e përbashkët europiane, Euro, u hodh në qarkullim para 20 vitesh. Kartmonedhat e brezit të parë po zëvendësohen hap pas hapi që prej më shumë shumë se 2 vitesh. Dy ditë më parë u fut në qarkullim kartmonedha e re 20 Euro, ndërsa kartmonedha 5 Euro e re qarkullon që nga maji 2013 dhe ajo me vlerë 10 Euro që nga shtatori 2014. Tashmë pritet që dalëngadalë të zëvendësohen edhe karmonedhat me vlerë më të lartë. Fillimisht në qarkullim do të jenë si karmonedhat e vjetra ashtu edhe të rejat. Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka në plan t’i heqë ato gradualisht nga qarkullimi. Në plan afatgjatë ato do ta humbasin statusin si mjet pagese.
Sipas Bankës Federale 20 Euro është kartmonedha falso më e përhapur deri tani.
Kartmonedhat e reja Euro do të jenë më të sigurta se të mëparshmet ndaj falsifikimeve. 20 Euro e re përmban shumë elemente të reja dhe të përmirësuara sigurie. Një element i ri sigurie i 20 Euros së re është një hologram i tejdukshëm. Nëse e mban kartmonedhën përpara një burimi drite, një portret i Europës do të shfaqet në anën e përparme dhe të pasme të kartmonedhës. BQE i quan kartmonedhat e reja “Seria e Europës”. Figura mitologjike që i jep emrin kontinentit, shfaqet vazhdimisht tek kartmonedhat, mes të tjerash si shenjë uji. Një element tjetër sigurie i kartmonedhës së re është shifra e smeraldit, siç quhet – shifra 20, e cila e ndryshon ngjyrën e saj nga e gjelbër smeraldi në blu të errët dhe mbi të cilën, nëse e kthen kartmonedhën më një anë, lëviz një shirit drite. Buzët e kartmonedhës së re si dhe një 20 e madhe, e cila shihet lart në qendër, kanë reliev, i cili mund të ndihet duke e prekur me gisht. Së jashtmi, kartmonedha e re 20 Euro ka ndryshuar shumë pak. Ngjyra blu e kartmonedhës së brezit të parë ishte më e çelët dhe nuk kishte refleksin e verdhë në anën e pasme.
Në karmonedhën e re, fjala „Euro“ është vendosur jo vetëm në shkrimin latin dhe grek, por edhe në atë cirilik, dhe akronimin „BQE“ e gjejmë tashmë në tetë gjuhë dhe jo vetëm në pesë si deri tani. Motivi kryesor i karmonedhave euro, „epoka dhe stile“, ruhet edhe në brezin e ri të tyre. Kartmonedhat përmbajnë të njëjtat figura arkitekturore të epokave të ndryshme. Kështu 20 Euro e re tregon përsëri një fasadë gotike, kurse në 10 Euron e re vazhdon të jetë një hark porte i stilit roman. Fillimisht do të nxirren 4,5 miliardë kartmonedha të reja 20 Euro. Prodhimi i tyre ka kushtuar 360 milionë Euro, nga 8 Cent secila. Kush mendon se kartmonedhat Euro janë prej letre, gabohet. Ato prodhohen me pambuk, të cilit i është hequr përbërësi i glukozës. Euroja është valuata zyrtare për pothuajse 340 milionë njerëz në 19 vende evropiane. Rreth 17 miliardë kartmonedha Euro janë aktualisht në qarkullim – me një vlerë totale prej rreth një mijë miliardë Eurosh.
Diskutime rreth kësaj post