Euro e ka nisur me rritje të fortë këtë javë, duke rikuperuar pikët që humbi gjatë javës së kaluar.Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 122.85 lekë, duke u rrit me 0.42 lekë, fitimi më i madh ditor që prej muajit prill. Që nga e hëna, euro ka rekuperuar 0.53 lekë.
Javën e kaluar, euro zbriti në 122.3 lekë, duke arritur në nivelin më të ulët në 11 vjet. Aktorët e tregut paralajmëruan se ulja erdhi pasi bankat po përgatiteshin të bënin disa transaksione të mëdha për blerje valute dhe si rrjedhojë kishin interes të ulnin kursin e këmbimit të euros, në mënyrë që të blinin monedhën e përbashkët me një kurs sa më të favorshëm.
Pasi euro ra javën e kaluar, duke humbur 0.94 lekë, dy ditët e fundit bankat kanë dalë në treg me kuotime më të larta, çka ka ndikuar në forcimin e monedhës së përbashkët. Edhe Banka e Shqipërisë ka bërë një blerje javën e kaluar, të programuar në kalendarin e saj, prej rreth 6 milionë eurosh, me qëllim rritjen e rezervës valutore, por shuma nuk ka qenë aq e madhe sa të ndikonte ecurinë e kursit.
Por, pavarësisht forcimit, euro vijon të luhatet afër niveleve më të ulëta të vitit dhe afër kuotave më të ulëta të 11 viteve.
Që nga mesi i vitit 2016, euro ka humbur vazhdimisht pikë, duke u nënçmuar me gati 16 lekë, ose 11.3%.
Oferta e shtuar në euro në njërin kah, ndërsa në kahun tjetër ka një ngadalësim të qarkullimit të monedhës vendase është arsyeja kryesore që ka ndikuar në këtë tendencë afatgjatë nënçmuese të euros. Kjo tendencë përkon me rritjen e aktivitetit informal të kultivimit të kanabisit në vend, që më pas u shoqërua me tregtinë e drogave më të forta, çka solli shtim të valutës në vend, e kanalizuar kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme.
Operatorët e tregut pohojnë se euro e dobët po ndikohet nga kushtet e paqëndrueshme atmosferike, të cilat kanë ulur qarkullimin e biznesit, por edhe nga kriza politike ku është zhytur vendi, e cila është reflektuar te rënia e konsumit. Rënia e parasë në qarkullim dhe oferta e lartë në valutë ka bërë që euro të shënojë rekorde të njëpasnjëshme të ulëta.
Për periudhën e verës pritshmëritë janë që euro të mbetet e dobët, për shkak të ofertës së shtuar në valutë nga turistët dhe emigrantët./Monitor
Diskutime rreth kësaj post