Emri i Klement Balilit përmendet nga mediat greke në lidhje me ngarkesën prej 1 ton kanabis, që u sekuestrua në një operacion ditën e djeshme në Athinë.
Një nga gazetat më të mëdha ne Greqi, “Ethnos”, shkruan se “pas dërgimit në Greqi të ngarkesës prej 1 ton kanabis, eshte një rrjet ndërkombëtar i trafikut të drogës, i lidhur me 44-vjeçarin shqiptar, Klement Balili, që njihet edhe si Eskobar i Ballkanit”.
Madje edhe titulli në versionin online të gazetës Ethnos, është: “Eskobari shqiptar me një ton kanabis”.
Droga u zbulua në një magazinë në zonën Afidnes, rreth 30 km nga qendra e Athinës. Më tej, gazeta vë në dukje se autoritetet greke kane lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti ndaj Klement Balilit, si drejtues dhe financues i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës.
“Megjithëse autoritetet shqiptare kanë filluar procedurat përkatëse, 44-vjeçari nuk është arrestuar ende”, thekson gazeta greke “Ethnos”.
Klement Balili u shpall në kërkim për llogari të drejtësisë greke, në maj të këtij viti, kur u kapën rreth 700 kilogram kanabis.
Menjëherë u pagëzua si Eskobari i Ballkanit, për shkak të sasive të mëdha të kanabisit dhe drogave të tjera që trafikonte nga Shqipëria, prej vitesh. Pjestarët e tjerë të organizatës që trafikonte drogë u arrestuan, ndërsa Balili jo.
Në Shqipëri ai mbante postin e Drejtorit të Drejtorisë së Transporteve për Sarandën dhe mediat greke paralajmëruan mbrojtjen që do t’i jepej për shkak të lidhjeve të forta politike. Dhe ashtu ndodhi. Klement Balili nuk u arrestua menjëherë nga policia shqiptare, përkundrazi ai dha edhe një intervistë në maj të këtij viti, pas kapjes së 700 kilogramëve kanabis në Greqi. Duke përfituar nga koha që i dha drejtësia shqiptare, Balili u zhduk nga Saranda për pak kohë.
Në muajt e verës, opozita publikoi në media disa foto ku shihej “Eskobari” në një skaf duke shijuar pushimet në detin e Sarandës. Opozita akuzoi menjëherë kryeministrin Edi Rama se kanë dalë garant për të mos e arrestuar Eskobarin e Ballkanit.
Në shtator, Balili u shfaq në një dasëm në kompleksin e tij “Santa Quaranta”, në Sarandë në shoqërinë e kreut të PS për Tepelenën. Dasma ishte e nipit të bashkëshortes së tij, që është ka marrë detyrën që mbante Balili si drejtor i Transporteve të Sarandës, përpara se të shpallej në kërkim nga Greqia për trafik droge.
Klement Balili njihet në të gjithë Sarandën për lidhjen e forta politike që ka me drejtues të lartë të dy partive politike, PS dhe LSI. Ai ishte emëruar në krye të sektorit të Transportit në Sarandë në vitin 2014, për të cilin që në atë kohë opozita denoncoi faktin se kishte qenë më parë i arrestuar. Njëri nga vëllezërit e Balilit është kryetar i Bashkisë së Delvinës, në jug të vendit, në zgjedhjet e fundit vendore, nën siglën e LSI-së. Vëllezërit Balili kanë aktivitete të shumta tregtare që nga transporti te ato të sigurisë së objekteve, apo peshkimit. Ndërsa vjet inauguruan një investim mjaft të shtrenjtë duke kthyer ish Kampin e punëtorëve në Sarandë në një hotel luksoz. Në ceremoni kishin marrë pjesë dhe zyrtarë të lartë, kryetari i Parlamentit Ilir Meta, ministri i atëhershëm i Ekonomisë dhe Turizmit, Arben Ahmetaj si dhe deputeti socialist i zonës Koço Kokëdhima. 2 vite më parë sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani në një dalje për mediat e kishte akuzuar Klement Balilin si një person i përfshirë në trafikun e drogës.
Klement Balili është biznesmen i njohur në Sarandë dhe së fundmi është edhe pronar i kompleksit turistik “Santa Quaranta”. Resorti luksoz “Santa Quaranta” në Sarandë, në pronësi të nipit të Balilit, kryetar i Bashkisë së Delvinës, Rigels Balili është ish-Kampi i Punëtorëve. Balili ndërkohë është edhe pronar i hotel Olivias në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës. Së bashku me vëllezërit e tij Klement Balili është pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në qarkun e Vlorës. Në 2006 Klement Balili u arrestuar nga policia e Shtetit në kuadër të një aksioni antidrogë që u finalizua me prangosjen e disa personave mes të cilëve edhe zyrtarë shtetëror.
Diskutime rreth kësaj post