I dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se pas bisedave me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, është siguruar se ai është i përkushtuar tërësisht për stabilitet rajonal.
Duke folur për Euronews Serbia, Escobar ka thënë se është e nevojshme që të shfrytëzohet kjo gjendje gatishmërie e pozitiviteti, që sipas tij, ekziston te të dyja palët.
Ai ka thënë gjithashtu se ka shumë njerëz që janë të shqetësuar lidhur me orientimin e Serbisë, por ka shprehur bindjen e tij se Serbia aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Vërtet besoj dhe shpresoj që aspiratat e Serbisë janë që të bëhet anëtare e plotë e BE-së dhe të mos kemi nevojë të flasim për ndarje në Ballkanin Perëndimor. Pasi kam biseduar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, mund të them se ai është plotësisht i përkushtuar për stabilitet rajonal dhe nuk do dhunë. Duhet ta shfrytëzojmë këtë vullnet të mirë dhe vullnetin e mirë të palës tjetër, Kosovës dhe shpresoj se liderët në rajon do të dëgjojnë se çfarë ka thënë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, ka thënë Escobar, transmeton Gazeta Express.
Këto deklarata, Escobar i ka bërë në margjinat e Forumit të Bledit që po mbahet në Slloveni.
Diskutime rreth kësaj post