Deputeti i PD-së, Ervin Salianji i ftuar në emisionin ‘Ditari’ komentoi amendamentet kushtetuese që kanë propozuar për ndryshim demokratët, por edhe nisën e ‘Foltores’ së ish-kryeministrit Sali Berisha për shkarkimin e Lulzim Bashës.
“Ne e kemi propozuar edhe në vitin 2018 vetingun në politik, i cili u kundërshtua në atë kohë. Nëse me dekriminalizimin arritëm të largojmë disa persona, ata vendosën përfaqësuesit e tyre për deputet apo kryetar bashkie. Nisur nga ky interes publik për të larguar këta persona që nuk kanë interesin e qytetarëve, por përqendrojnë të gjitha burimet apo pasuritë në duart e pak njerëzve, ne propozojmë një projekt të ri, ku jo vetëm ata që janë të përfshirë drejtpërdrejtë në veprimtari kriminale, por cilido që ka burim pasurie të pajustifikuar apo kontakt të papërshtatshëm, të largohet nga politika. Këtu nuk bëhet fjalë për një përfitim politik të një partie, por të të gjithë shqiptarëve”, u shpreh ai.
Gjithashti Salianji komentoi edhe propozimin për rikthimin e komunave.
“Nuk ka qenë ky qëllimi. Mund të jetë bashki, mund të quhet komunë. Rëndësi ka që të ketë shërbime më afër qytetarëve, më pak harxhim të burimeve të buxheteve të shtetit. Shërbimi është larguar shumë larg vendbanimeve të qytetarëve, për këtë arsye duhet të rigrupuar”.-tha ai.
Zgjatja e afateve të organeve të vetingut.
“Nuk kanë asnjë lidhje me propozimet tona. Ndryshimet që ne kërkojmë i shërbejnë socialistëve, demokratëve dhe njerëzve pa parti. Vetingu në drejtësi ka kohë të diskutohet në qershor. Ka ardhur vetëm një propozim me një paragraf për ndryshim të kushtetutës. Ne do të shohim të gjitha elementet dhe arsyet pse nuk ka ecur deri tani. Ne do të japim përgjigje në momentin e duhur. Këtu nuk ka një këmbim. Vetingu në drejtësi në çdo rast nuk ndërpritet, është parashikuar në Kushtetutë se si vazhdon”.-u shpreh Salianji.
Pozitat e Bashës në PD sot.
“Diskutimi nuk mund të bëhet se si do të vazhdojë karriera e Bashës, por si të bëhet e mundur që të gjithë potencialet e PD-së të bashkohen dhe të jenë në një fokus të përbashkët në luftën ndaj qeverisë. Nuk ka qenë një vendimmarrje e lehtë ajo e Bashës, pasi gjithçka është bërë për të mos cenuar raportet me SHBA-në”.-tha Salianji.
“Foltorja” e Berishës.
“Lulzim Basha nuk shkarkohet si kryetar partie sepse kërkesa për shkarkimin e kryetarit të partisë, minimalisht, duhet të nisë nga Këshilli Kombëtar me një mocion të arsyetuar dhe duhet të votohet nga 50%+1 dhe pasi të kalojë në Këshill duhet të kalojë edhe në Kuvendin Kombëtar. Këto janë elemente të palëvizshme në këto 4 vite, përfshirë edhe kryetarin e partisë. Elementet e tjera duhet të kenë mundësi të adresohen për t’i dhënë më shumë mundësi partisë. Askush nga ne nuk mund të dalë kundër votës së anëtarësisë, por ka rregulla dhe norma për t’u përcaktuar”.-u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post