Në pranverë pritet të hapet Parku i Liqenit të Farkës, lajmi është dhënë nga kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili tha se ky park është më i madh se ai i Liqenit të Tiranës.
Këtë të shtunë, kryebashkiaku së bashku me studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe nxënës e mësues të shkollave të Farkës, mbollën 170 pemë të reja në Parkun e Liqenit të Madh të Farkës.
“Sot kam 170 mirënjohje për 170 pemët që çunat e gocat e Farkës dhe ata të Universitetit Bujqësor kanë mbjellë në këtë hapësirë, që po transformohet në mënyrë të paimagjinueshme. Këtë pranverë, përveç se të presim sythat e parë të këtyre pemëve, do të presim edhe hapjen e parkut të madh të Farkës. Është një park më i madh se i Liqenit të Tiranës. E di që për ata që kanë parë transformimin e Liqenit të Tiranës, mendojnë se ai është një ndër parqet më të bukur në Ballkan, por parku i Farkës do jetë edhe më i bukur. Ka vërtet një investim cilësor, por mbi të gjitha është edhe një hapësirë më e madhe”, tha Veliaj.
Pedonalja që rrethon liqenin e Farkës, do të shërbejë edhe për stërvitjen e sportistëve të kryeqytetit, sidomos këtë vit kur Tirana mban titullin “Qyteti Europian i Sportit”.
“Parku i Farkës do jetë pa dyshim investimi më i madh i Tiranës së gjelbër për këtë vit dhe çfarë koincidence ideale që përkon me Tiranën, Qyteti Europian i Sportit, ku ne vërtet duam që, siç kemi filluar me Triathlonën, një pjesë e maratonës kalon këtu, një pjesë e turit çiklistik kalon këtu, ndaj duam që ta animojmë me pafundësi aktivitetesh, që të kemi mundësi, që njerëzit edhe ta njohin parkun e Farkës, por edhe të ulim dhe të shfryjmë pak fluksin e jashtëzakonshëm që kemi tek Parku i Liqenit të Tiranës”, u shpreh Veliaj.
Diskutime rreth kësaj post