Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe një grup fëmijësh, mbollën pemën e një miliontë në Parkun e Liqenit Artificial, ku u shpreh se ambicia e Bashkisë së Tiranës, është që të mbjellë 2 milion pemë deri në vitin 2030.
“Kemi numëruar çdo pemë të mbjellë. Nuk e di a e mbani mend, kush ka qenë në Tiranë para 7-8 vitesh, kjo hapësirë ishte e gjitha një landfill i madh, ku digjej plastikë. Vetëm këtu ka pasur 100 struktura pa leje, kurse sot është dyfishuar hapësira e Parkut të Liqenit. Mjafton të shikoni pemët që kanë çelur sythat e parë, për të kuptuar se ajo sfidë dhe sakrificë ia vlejti. Në 2015 thamë se do të mbjellim 2 milionë pemë deri në 2030 dhe jemi vetëm në gjysmë të këtij misioni të jashtëzakonshëm”, u shpreh Veliaj.
Gjithashtu, Veliaj tha se kur është fjala për pemët, politika nuk duhet të ndërhyjë.
“Mezi e pres atë ditë kur në Shqipëri të mos politizojmë pemët. Nëse dikujt nuk i pëlqen, le të mbjellë më shumë, siç themi ne – “Zoti ia shtoftë inatin”. Nëse s’je dakord me një milion pemë, merre ti lopatën edhe mbill, po nuk duhet të mbjellësh, nuk duhet të mbjellësh inat. Ndaj, unë besoj më mirë mbjellim pemë dhe dashuri, duke u abonuar në një politikë të re të mënyrës se si qyteti ecën përpara, ku secili jep shembullin e tij, se sa duke vazhduar avazin e vjetër shaj e përça. Politika ‘përça e sundo’ nuk funksionon më. Sot politika, jo ajo e partive, por politika e qytetit, duhet të jetë bashko, bashkëpuno, afroi njerëzit, lër një shenjë dhe kur secili mund të thotë kam një kontribut te ky 1 milionësh, atëherë secili e ka kryer misionin e tij si kryeqytetas”, deklaroi kryebashkiaku.
Diskutime rreth kësaj post