Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ironizuar zhvillimet e papritura në selinë blu, ku dy drejtuesit e forumeve më të rëndësishme të PD, Albana Vokshi dhe Belind Këllici, janë bërë protagonistët e radhës së betejës mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës.
Veliaj ka deklaruar se nuk është aspak çudi që drejtuesit e Forumit të Gruas dhe të FRPD-së, të jenë të përjashtuarit e radhës nga grupi parlamentar i kësaj force politike, pas të ashtuquajturës “reformë” nga kryetari i Partisë Demokratike, i cili pasi i përdori për të bllokuar punët e Bashkisë tani po i përzë nga partia.
“Ky Luli është i paparë, shkon dhe bën mish për top ata që ka përdorur më shumë, se ju e dini, kur thotë ai “reformë forumi i gruas” dhe “reformë forumi i rinisë”, e ka fjalën që duhet të heqim këta të dy se janë të Saliut. Më pëlqen që ata që kanë qenë më naivët që janë përdorur nga Luli. E përdori çunin e Fahriut për Astirin, pastaj e hoqi. E përdori këtë të FRPD-së për të bllokuar në Kombinat, tani e hoqi. Nxirrte Albana Vokshin tek shkolla “Jeronim de Rada” të bllokonte shkollën aty, tani e hoqi. Kështu që këshilla ime për këta që bllokojnë punët e bashkisë sonë është: Mos shkoni mish për top, se pasi keni dalë në TV duke bllokuar punët e bashkisë, ju vjen mandata nga Luli që ju përzë nga partia”.
Veliaj tha se e njëjta situatë tashmë po ndodh me protestën e udhëhequr nga PD në lagjen e re të Tiranës “5 Maji”, ku dy figurat e përdorura janë Alfred Rushaj dhe Agron Gjekmarkaj.
“E njëjta gjë ndodh tek “5 Maji”. Ne hapim terrenin aty për pallatet dhe po i themi atij që ka zaptuar “s’po të gjykojmë që ke zënë pronën e bashkisë. Ke 200 metra në breg të lumit me kasolle në ujëra të zeza, po të japim 200 metra në një pallat të Stefano Boerit”. Këtij nuk i ka rënë fatkeqësia, këtij i ka rënë bingo. Por partia do që të protestojë dhe ai “Bregu i Lumit”, do vazhdojë të hajë karriera politikanësh sepse Luli është njësh, i përdor për këto dhe pastaj na i pastron vetë nga rrugët dhe shkon e i flak,” u shpreh ai.
Deklaratat Veliaj i bëri nga Vora, ku zhvilloi një takim me forumet drejtuese të Partisë Socialiste si drejtues politik i Qarkut, në kuadër të përgatitjeve për Zgjedhjet e pjesshme vendore që prekin edhe këtë njësi vendore.
Diskutime rreth kësaj post