Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të dielën se realizimi i një shteti palestinez të pavarur dhe të integruar gjeografikisht të bazuar në kufijtë e vitit 1967, me Jerusalemin (Lindor) si kryeqytet, nuk mund të vonohet më.
“Paqja e qëndrueshme në Lindjen e Mesme është e mundur vetëm përmes një zgjidhjeje përfundimtare të konfliktit palestinezo-izraelit”, tha Erdogan në ceremoninë e hapjes së Kishës Ortodokse Siriane Mor Ephrem në Yesilkoy në anën evropiane të Stambollit.
Ajo thuhet se është kisha e parë e ndërtuar në epokën e Republikës Turke.
Në këtë drejtim, shkruajnë mediat e huaja, Erdogan tha se Turqia është e gatshme të bëjë pjesën e saj për të ndaluar konfliktin izraelito-palestinez dhe për të ulur tensionet që u përshkallëzuan të shtunën.
“Çështja e Palestinës qëndron si shkaku kryesor i problemeve në rajonin tonë. Rajoni ynë do të vazhdojë të kërkojë paqen nëse nuk arrihet një zgjidhje e drejtë”, shtoi presidenti turk.
Erdogan theksoi gjithashtu se çdo hap që do të përshkallëzojë tensionet në rajon, “do të çojë në më shumë gjakderdhje” dhe se “thellimi i problemeve duhet të shmanget”.
Ndryshe, luftimet midis forcave izraelite dhe grupit palestinez Hamas kanë vazhduar edhe gjatë natës, me të tjerë të vrarë të raportuar.
Ndërkohë Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant thotë se ka urdhëruar një “bllokadë të plotë” në Rripin e Gazës.
“Jo energji elektrike, ushqim e as karburant”, ka thënë ai.
Urdhri i tij erdhi në kohën kur Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thonë se sirenat e sulmit ajror janë dëgjuar në Jerusalem dhe në të gjithë Izraelin, ndërsa raketat janë lëshuar nga Gaza.
Diskutime rreth kësaj post