“Saje qorri”, është ndër më të fundit llagape që ka hyrë në vokabularin e ligjërimit të rëndomtë politik në Shqipëri.
Eshtë ndër më të fundit por jo vetmi në këto 25 vjet, ku kanë gëluar pra ato, llagapet, epitetet, emërtimet e ndryshme, herë me theks të rëndë përçmues e herë thjesht lozonjar, apo për një rrethanë të caktuar. Disa prej tyre i rezistuan kohës, e disa u venitën deri në shuarje.
Dhe ja disa prej tyre:
“Dulla” – është llagapi dedikuar Enver Hoxhës. Daton që në vitin `90 dhe fillesat e përdorimit të saj urban i ka në Kavajën antikomuniste. Nuk dihet të ketë një autorësi individuale, duke mbetur të ketë për autor “popullin”. Në rrënjët e veta etimologjike, emri Dullë nuk ka asgjë negative. Ai është shkurtimi i emrit Avdullah, ose me “b”, Abdullah, por që në trajtën e shkurtuar bëhet Dullë, ku në varësi të kontekstit, përfton dhe nuanca jo simpatike, deri dhe përtallëse, siç në rastin e ish-diktatorit Hoxha të cilit i dedikohet.
“Tao-Tao” – Kështu u etiketua ish-kryeministri komunist shqiptar Adil Çarçani, në një shkrim të Frrok Çupit tek numrat e parë të RD-së në vitin ’91. Ishte diçka që ngjiti mirë në opinion, pasi antikomunizimi ishte i etur për të goditur diktaturën dhe me forma të tilla.
“Doktori” (që u bë dhe “rrumpallë” më vonë) – Kështu është thirrur që në fillim Sali Berisha, duke e patur profesionin e tij dhe si emër të dytë. Sigurisht që kjo ka qenë nderuese për të, por ja që nuk ka mundur t’i shpëtojë epiteteve të tjera me theks negativ. Vite më vonë, atij iu shtua “rrumpalla” pas llagapit “Doktor”, që ka për autorësi Edi Ramën. Kjo ndodhi kur ky i fundit nuk kishte aktiv në politikë, por që e gjuante rregullisht me penë publicistike stilin e qeverisjes së Berishës. Vit pas viti kjo erdhi duke u venitur, pasi dhe Rama nuk e artikuloi më, duke e zëvëndësuar thjesht më trajtën shoqërore, “Saliu”.
“Qorri” – Eshtë llagapi me të cilën thirrej Fatos Nano. Kjo, për shkak të syzeve që mbante, nga ato të tipit “fundkavanozi”, por që më pas i hoqi pas vënies së lenteve; një zhvillim fizik ky në pamjen e tij fill pas njohjes me Xhoin, duke e startuar jetën e re me pa syze miope. Pra jo si “qorr”.
“I gjati” – I dedikohet Edi Ramës, ku tipar kryesor ka shtatlartësinë e tij. Nuk përbën ndonjë ofezë, derisa nuk është dhe sajesë. Ai është i gjatë vërtet. Por Rama gëzon dhe epitetin “Piktori”, porsi Berisha “Doktor”; por që ky i fundit nuk ka mundur dot t`ja zhvlerësojë me ndonjë gjetje të rrallë gjuhësore, duke u mjaftuar t`i thotë thjesht e pa fantazi, “Piktor i dështuar”. Por nuk mbaron me kaq, pasi Edi thirret dhe Edvin, një zgjatim që ende nuk është i qartë se ku e ka specin, derisa Berisha dhe të tijtë e përdorin rregullisht.
“Tritan preshi” – i ka mbetur kjo lloj xanxe politikanit Tritan Shehu, qëkurse në pozitën e ish-z/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, u ndodh gjatë një proteste në Lushnje për humbjen e parave në firmat piramidale. Nxitur nga urrejtja, fantazia e shfrrenuar e masës sajoi për të një skenë që me gjasë nuk ka ndodhur, por që e viktimizoi atë në variantin “më mirë syri se nami”.
“Shreku” – Kështu nisi të thirrej Alfred Moisiu kur ishte president, sapo doli në transmetim filmi për fëmijë, “Shreku”. Kjo, për shkak të ngjashmërisë në portret mes personazhit në fjalë dhe Moisiut.
“Mark Abdia” – Eshtë prodhim i Berishës, në të cilin ngërthehen dy figura, ajo e Mark Nikollit, ish-kreut të komisionit të mandateve në PS dhe Fehmi Abdiut, ish-kreut të Gjykatës Kushtuetuese. Është një ngjizje që nuk është kuptuar ende, nëse në fillesë ka patur si synim të godasë Mark Nikollin apo Fehmi Abdiun?!
“Mamuthi” (i korrupsionit) – Me këtë epitet është pagëzuar prej Berishës ish-ministri i Financave në qeverinë Nano, Anastas Angjeli. Ishte një kohë kur opozita demokrate po farkëtonte një betejë antikorrupsion, që më pas do e sillte në pushtet. Dhe, në funksion të kësaj beteje do ishin dhe stigma të tilla ndaj qeveritarëve socialistë, të cilët deri dhe animalizoheshin në akuzat për korrupsion.
“Gjenerali” – I dedikohet Arben Imamit, i graduar kështu me urrejtje e cinizëm bashkë prej PD-së gjatë revoltave të 97-ës në jug të Shqipërisë. Në atë kohë, mes tij dhe ish-partisë së tij, apo më saktë Berishës, kishte një urrejtje patologjike, që pakkush e besonte se një ditë do përfundonte në dashuri. Dhe ishte Berisha që e gradoi Imamin gjeneral, me akuzën se ishte ai që po udhëhiqte dhe ushtarakisht revoltat e jugut.
“Kuqoja” – Kështu thërritet ndryshe Genc Pollo, mu për shkak të ngjyrës në të kuqëremtë të fytyrës.
“Ilir Floriri” – Thërritet kështu Ilir Meta, falë dy arsyeve: dyshimit për implikimin e tij në grabitjen e Thesarit të Shtetit gjatë viteve 2002-2003, por dhe për faktin se me këtë fjalë, flori, ai u drejtohet shoqërisht, sipas rrethanave, individëve të ndryshëm. Vitet e fundit, i është shtuar dhe “blloku” nga pas, “Ilir blloku”, pas videos së transmetuar në Fiks Fare, ku me një bllok në dorë merrte e jepte me Dritan Priftin për afera të ndryshme.
“Njeriu që qesh” – I dedikohet Lulzim Bashës. Duke e patur karakteristike pamore qeshjen, prej kundërshtarëve politikë është kapur pikërisht ky detaj për t’i ngjitur me patjetër një epitet zhvlerësues, pasi nuk ngjan dhe aq përçmues. Basha vërtet qesh shumë. Ose siç thuhet ndryshe, e ka gojën vesh më vesh.
“Kaçi” (edhe i zi) – Është shkurtesa e emrit të Kastriot Islamit, që e artikuluar në këtë formë, ia heq seriozitetin, prestigjin, nderin, duke e shndërruar në diçka të rëndomtë. Kësaj tentative, gazetari Sokol Balla i shkoi dhe më tej, teksa në shkrimet e tij nisi t`ja hiqte dhe “i”-në, duke e lënë thjesht, Kaç. “I zi”, i është shtuar së voni si një tentativë e militantëve të majtë për ta nxirrosur dhe më tej si figurë. Por këta të fundit, nuk janë të vetëdijshëm për faktin se e kanë huazuar këtë nga personi i Thoma Gëllçit, pasi ka qenë ky që në 90-ën, atëherë kur drejtonte Zërin e Popullit, thirrej “Gëllçi i zi”.
“Miu i arrave” – I është thënë kështu Erion Braçes, kuptohet, prej kundërshtarëve politikë në parlament. Natyrshëm, për t’i gjetur një epitet përçmues, është marrë si lëndë e parë shtati i tij i shkurtër dhe tipari gricës.
“Xhozi” – Për Jozefina Topalli nuk ka mundur të dalë diçka më tepër se kaq; një ndërhyrje e vockël në emrin e saj, thjesht për ta deformuar, por pa mundur ta ngarkojnë më shumë me valencë gjuhësore negative.
“Jari” (ose kapteri) – Më shumë se nëpërmjet epitetit “kapter”, si një “ish-skënderbegas” i dikurshëm, për presidentin Bujar Nishani është përdorur shkurtesa e emrit “Jari” (ose Lali në një variant më shoqëror e familjar), për ta zhvlerësuar si person, në kontekstin e postit të lartë që mban. Nuk është as ky një sajim i politikës, por i medias. Posaçërisht i Mero Bazes.
“Baba Taku” – Kështu quhet Spartak Braho. Tamam një baba i politikës, jo thjesht për moshën madhore, porse e ka prirje t’i japë vetes rolin e mbikqyrësit të rreptë të çdo gjëje që ndodh përreth, e cila mund t’ja cënojë imazhin LSI-së dhe Ilir Metës. Nuk është sajesë e ardhur nga sallonet e politikës, por nga ato të medias.
“Pamela” – Është sajesë e Ramës për deputeten Albana Vokshi. Kjo, falë ngjashmërisë së fizikut dhe ca tipareve të portretit të saj me aktoren protagoniste të Baywatch-it të famshëm të mesviteve 90-të. Mund të pyes ndokush po pse nuk e thërret zonja Anderson? Ndoshta ngaqë “Pamela” ngjan si “Paloma” ish-personazhin e “Goodmorrning Albania” në Top Channel, Rudina Mneri, me të cilën englendiseshin mëngjes për mëngjes shqiptarët.
“Saje qorri” – Saimir Tahiri nuk i artikulohet më emri i plotë, veçanërisht nga opozita, e cila, falë syzeve të tij, i drejtohet tashmë me një cen siç është ai njeriut që nuk sheh, qorrit pra; por që nëse do merrej ky si standart për shumëkënd në politikën shqiptare që ka syze, i bie që gati gjysma e individëve në të, të quhen qorra. /tesheshi.com/
Diskutime rreth kësaj post