Gazetarja Eni Vasili thotë se kryeministri Edi Rama mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Duke folur për ‘Mapo’, ajo thotë se qeverisja me teknicienë është një eksperimentë i rrezikshëm.
“Me nga një notë negative për të dyja. Së pari sepse siç u pa gjatë këtij viti, larg sondazheve partiake, qeveria ka humbur mbështetjen e disa segmenteve të shoqërisë. Arroganca e shumë ministrave që ikën, të cilët silleshin si bajraktarë në dikasteret e tyre shumuar me arrogancën karakteriale të njohur tashmë të kryeministrit krijuan një atmosferë mbytëse që vetëm protesta e studentëve arriti ta zhbllokojë.
Sa i takon qeverisë së re me emra teknicienësh mund të them se Italia disa vite më parë u bë laboratori i këtij eksperimenti politik. Edhe pse emrat e teknicienëve duke nisur me kryeministrin Mario Monti ishin me të respektuarit në nivel europian sërish eksperimenti dështoi.
Opozita këtë vit është munduar të mbështesë disa kauza qytetare si ajo e teatrit apo Astirit, por nuk ka arritur të konvergojë një energji mbështetëse për veten në njerëz. Në përgjithësi protestat e këtij viti janë bërë jashtë organizimeve politike dhe ky është një nga lajmet e mira të 2018-ës.
Zërat që flasin për sondazhet e brendshme të së majtës nuk përjashtojnë idenë që kryeministri t’i provokojë vetë këto zgjedhje për të dalë nga ngërçi i protestave të paralajmëruara,” shprehet Eni Vasili.
Diskutime rreth kësaj post