Ëndrra e tij më e madhe ishte që një ditë të ishte një Youtuber i njohur që shpjegon videolojëra të ndryshme. Awni Eldous 12 vjeç nga rripi i Gazës kishte publikuar në muajin gusht të vitit 2022 një video në Youtube ku teksa i buzëqeshte kamerës tregonte se qëllimi i tij ishte që një ditë të arrijë të grumbullojë 100 mijë, 500 mijë apo 1 milionë ndjekës në këtë platformë.
Ëndrra e 12 vjeçarit Awni sot është një realitet, por ai dhe familja e tij nuk jetojnë më. Ata mbetën të vrarë si pasojë e një sulmi të kryer nga Forcat e Mbrojtjes Izraelite në Rripin e Gazës , një sulm ky që erdhi si kundërpërgjigje ndaj grupit militant Palestinez Hamas pasi ata vranë 1200 persona dhe morën peng 240 të tjerë në territorin Izraelit.
Videot e Awni Eldous numërojnë me miliona klikime dhe ai ka tani më rreth 1.5 milionë ndjekës në kanalin e tij në Youtube. Me qindra komentues shkruajnë se do donin ta kishin njohur atë apo se I kërkojnë falje për gjithçka që po ndodh me botën sot.
12 vjeçari dëshironte që kur të rritej të studionte Inxhinieri Kompjuterike , njësoj si babai i tij.
Familjarët e Awni kanë treguar për mediat ndërkombëtare se ai ishte një djalë inteligjent dhe ambicioz me një kureshtje të madhe për të mësuar gjithmonë e më shumë.
Që prej nisjes së luftës mes Izraelit dhe Grupit Militant Palestinez Hamas në rripin e Gazës kanë humbur jetën më shumë se 20 mijë persona sipas asaj që thotë Ministria Palestineze e Shëndetësisë.
Agjencia e OKB-së për fëmijët e ka përshkruar së fundmi Enklavën Palestineze si vendin më të rrezikshëm në botë për të jetuar si fëmijë.
Diskutime rreth kësaj post