Ndërkohë që na ndajnë pak orë nga dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kryeministri Edi Rama nga selia e PS, zbuloi emrat e udhëheqësve të listës në qarqe.
Vetë kryeministri ka vendosur të mos jetë në krye të listave. Në Durrës, Rama tha se do të jetë në “kufi”. Kryeministri u shpreh se në ndryshim nga zgjedhjet e kaluara këtë herë kanë zgjedhur që në krye të listës të vendosin emra të rinj, duke u dhënë gjithashtu edhe grave një vend të veçantë.
Në Shkodër e parë në listë është Edona Bilali, pedagoge e Ekonomisë. Vendin e parë në Vlorë kreu i qeverisë ia ka besuar ish-drejtorësh së Tatimeve në këtë qytet, Pranvera Resulaj.
Listën e Tiranës do e udhëheqin dy prurjet më të reja në PS, të cilat u prezantuan me shumë bujë. Inxhinierja Luljeta Bozo dhe Shefja e Infektivit Najada Çomo kryesojnë kështu kryeqytetin.
Vendin e parë në Kukës e merr gjithashtu një emër i ri mes socialistëve, Greta Duraku, e angazhuar në sektorin privat. Në Korçë listën do e kryesojnë Eni Zake, pedagoge dhe anëtare e Këshillit Bashkiak.
Për Fierin, duket se është bërë përjashtim. Listën në këtë qark e kryeson zv. kryeministri Erion Braçe, një ndër figurat më të vjetra të PS. Listën e Lezhës e kryeson, Lindita Nikolli, ndërsa në Dibër është një prurje e re. Bëhet fjalë për Lavdrim Krashi, emigrant prej vitesh në Londër i cili u prezantua gjatë ditës së sotme nga kryeministri.
Durrësin dhe Elbasanin, Rama ia ka besuar dy ministreve të reja. E para në listën e socialistëve në Elbasan do të jetë ministrja e Arsimit, Evis Kushi dhe në Durrës ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi.
Ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kombaro do të jetë e para në listën e Gjirokastrës, ndërsa në Berat Hatixhe Konomi.
Lista e plotë:
Najada Çomo dhe Luljeta Bozo në Tiranë
Edona Bilali në qarkun e Shkodrës
Pranvera Resulaj në Vlorë
Eni Zake në Korçë
Greta Duraku në Kukës
Lavdrim Krashi në Dibër
Hatixhe Konomi nëBerat
Erion Braçe në Fier
Evis Kushi ne Elbasan
Lindita Nikolla në Lezhë
Mirela Kumbaro në Gjirokastër
Diskutime rreth kësaj post