Zgjimi politik i Marine Le Pen erdhi që kur ajo ishte 8 vjeç, pasi i mbijetoi një shpërthimi në shtëpinë e saj në Paris. Plot 5 kg dinamit u vendosën në portën e apartamentit, duke rrënuar të gjithë pjesën ballore të ndërtesës.
Misteri se, kush tentoi të vriste Jean-Marie Le Pen dhe familjen e tij mbrëmjen e 1 nëntorit 1976, ende është i tillë. Asokohe, “Fronti Nacional” kishte 4 vite që ishte krijuar.
Për Marine Le Pen, sulmi ndryshoi gjithçka. Shtëpia u shkatërrua, ajo humbi miqtë e shkollës, prindërit e të cilëve kishin frikë t’i linin ata pranë babait të saj të rrezikshëm. Thellë-thellë e kuptoi se, ajo dhe familja e saj ishin të ndryshëm dhe asnjëherë nuk do të trajtoheshin si njerëz normalë.
Në vend të simpatisë, kishte armiqësi. Por në brendësi, është ajo ftohtësia emocionale dhe një personalitet i skalitur që sigurisht origjinën e kanë te kushtet e vështira psikologjike të fëmijërisë së saj. Pa atë ftohtësi, ajo nuk do të kishte mundur ta shtynte “Frontin Nacional” në këto lartësi të paprecedenta.
Ajo u përball me sukses me kandidatët e tjerë në raundin e parë të zgjedhjeve, e tani përballet në balotazh e vetme kundër kandidatit të qendrës Macron. Por për të ardhur deri këtu, asaj iu desh që më parë të “vriste” në mënyrë simbolike të atin, për t’u shndërruar në një aktore politike në Francë me mesazhin e saj antiemigracion dhe antieuropian të pandryshueshëm.
Ndërkohë ka shumë njerëz që adhurojnë faktin se ajo është e urryer nga paria politike në Paris. Marine është shumë e ngjashme me të atin, njësoj shpotitës, të gatshëm për përballje me botën armiqësore.
“Ka dy gjëra që unë dua t’iu kthej juve o njerëz: zërin tuaj dhe paratë tuaja”, thotë ajo.
Veç kësaj është edhe ngjashmëria fizike. Marine është e treta dhe më e vogla e vajzave Le Pen dhe prindërit e saj duket se patën shpresuar për një djalë. Sot, vet nëna e saj Pierrette thotë se, e bija është si Jean-Marie me flokë të gjata. Ky i fundit flet nga një tjetër këndvështrim: ajo është si unë, por me gjoks.
Por sot, Marine dhe babai i saj janë tërësisht në skaje të kundërta. Ndarja nuk është një mekanizëm për ta ndihmuar atë në karrierën politike. Është një ndarje totale dhe ata kanë më shumë sesa dy vite që nuk flasin.
“Në këtë familje, politika është më e fortë sesa gjaku”, thotë një gazetar, autor i një libri mbi dinastinë “Le Pen”.
Jean-Marie nuk mund të duronte që dikush tjetër, qoftë edhe e bija, të merrte kontrollin e partisë që ai krijoi dhe kontrolloi për 40 vite. Ishte si një tragjedi greke në zhvillim dhe përfundoi si një tragjedi greke, me një vrasje simbolike.
Diskutime rreth kësaj post