Vendimi i qeverisë për të zëvendësuar sistemin aktual të hartimit të teksteve shkollore për arsimin parauniversitar, me një sistem të ri të bazuar në përkthimin e librave mësimorë që përdoren nga vendet perëndimore, po shoqërohet me vështirësi në të nxënë.
Vetë ekspertët nuk janë të bindur që metoda e përkthimit është e duhura për nivelin arsimor shqiptar.
Sipas tyre, një libër shkollor nuk mjafton vetëm të përkthehet, por mbi të gjitha të përshtatet me kulturën dhe mentalitetin e vendit ku do të vihet në përdorim.
Për fëmijët tekstet e reja janë të mbingarkuara, shqetësim ky i ngritur edhe nga prindërit dhe ekspertët.
Këta të fundit vlerësojnë se jo vetëm fëmijët, por edhe stafi pedagogjik, nuk po përshtatet siç duhet me tekstet e reja, të cilave shpeshherë u mungojnë edhe mesazhet edukative.
Ndërsa ekspertët e shëndetit mendor, shpjegojnë ndikimin negativ që ka tek fëmijët kjo mbingarkesë e teksteve shkollore.
Lënda e matematikës, është veçuar disi problematike sa i përket ngarkesës jo vetëm me ushtrime të papërshtatshme për nivelin e moshës, por edhe për nga paraqitja grafike.
Në lëndët shkencore ka pasur edhe nivele më të mëdha të përkthimit prej teksteve të huaja, ndaj vështirësia e ushtrimeve që kërkohet të zgjidhin nxënësit vlerësohet tepër e lartë.
Ekspertët tregohen kritikë edhe për abetaren e unifikuar.
Nisma është vënë në praktikë këtë vit shkollor dhe është shoqëruar me dyfishim të ushtrimeve në fletoren e punës.
Që nga viti 2005 Shqipëria ka përdorur një sistem të njohur si Alterteksti, ku kompani private të botimit dhe shpërndarjes së librit merrnin licenca për librat që përgatisnin nga një komision në Ministrinë e Arsimit dhe i shpërndanin ato nëpër shkolla.
Kjo metodë e përzgjedhjes së teksteve, nuk sygjerohet nga ekspertët.
Përpara vitit 2005 tekstet e librave shkollorë në Shqipëri prodhoheshin nga një shtëpi botuese nën pronësi publike dhe shtypeshin nga shtypshkronja private përmes tenderave.
Ky system u shoqërua përgjatë dhjetë viteve të zbatimit me dyshime për favorizime të botuesve të caktuar, klientelizëm dhe cilësi të dobët të teksteve shkollore të hedhura në treg.
Por duket se edhe sistemi i ri me përkthime, nuk po përshtatet siç duhet me sistemin arsimor parauniversitar në vendin tonë.
Diskutime rreth kësaj post