Qeveria shqiptare ka miratuar në fillim të marsit vendimin për rritjen e pagave që do të variojë nga 7 për qind deri në 36 për qind.
Referuar projektvendimit, shtesën e pagave do ta përfitojnë 110 mijë punonjës të administratës. Rritja e pagave nis më 1 prill dhe fondi për shtesën llogaritet 6 miliardë lekë. Në kategoritë që përfitojnë përfshihen mësuesit, mjekët, punonjësit e policisë si dhe specialistët apo drejtorët në institucionet shtetërore.
Ditën e djeshme Tirana u trondit nga një zjarr në Bibliotekën Kombëtare që mund të kishte rezultuar fatal për trashëgiminë kulturorë dhe arshivën më të madhe të letërsisë në vend. Forcat zjarrfikëse të Tiranës arritën ta izolojnë zjarrin në kohë ndërsa mes efektivëve pati edhe të plagosur apo asfiksuar për shkak të flakëve dhe tymit që përfshiu katin e nëndheshëm të Bibliotekës.
Lajme.al sjell më poshtë video nga aksioni i PMNZSH Tiranë si dhe fotografi për të dëshmuar punën e vështirë dhe plot rreziqe të zjarrfikësve. Janë pikërisht këta të fundit që shpëtojnë jetë njerëzish, biznese apo banesa në raste zjarri, përmbytjesh dhe fatkeqësish të tjera natyrore. Lajme.al mëson se qeveria është kursyer edhe këtë herë për t’u rritur pagat heronjve të heshtur.
Ndërsa nga rritja e pagave përfitojnë 110 mijë punonjës të administratës, qeveria si çdo herë që ka rritje pagash nuk ka përfshirë në skemë 750 zjarrfikësit e Shqipërisë apo qoftë edhe 116 zjarrfikësit e Tiranës që mbajnë peshën kryesore të punës jo vetëm në qark.
Diskutime rreth kësaj post