Kryeinspektori i Deklarimit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj është përfshirë në një skandal të rëndë. Ai ka deklaruar publikisht se ka kallëzuar penalisht një gjyqtar të Gjykatës së Durrësit, por në fakt nuk ka dorëzuar asnjë material në prokurori ndaj këti subjekti deklarues.
Duket qartë se e gjitha ka qenë një skemë shantazhi e organizuar nga Kryeinspektori Ganaj, për qëllime, të cilat “Lajme.al” nuk ka fakte konkrete, por që të krijojnë dyshime të plota se bëhet fjalë për korrupsion.
Në një njoftim zyrta të datës 9 Korrik 2015, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka publikuar njoftimin, sipas të cilit 18 zyrtarë të ndryshëm janë gjobitur dhe janë kallëzuar penalisht në organin e Prokurorisë për veprën penale të “fshehjes së pasurisë”.
Në këtë listë, ndër të tjerë figuron edhe emri i gjyqtarit Petraq Curri, i cili është renditur i pesti në këtë listë të kallëzuarish.
Por, në fakt, nga hulumtimi i “Lajme.al”, Shkëlqim Ganaj nuk ka dorëzuar asnjë kallëzim penal në Prokurori ndaj Petraq Currit. Ne kemi pyetur pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Tiranë dhe Prokurorisë së Durrësit. Burime zyrtare konfirmuar për “Lajme.al” se ndaj shtetasit Petraq Curri nuk ka pasur asnjëherë kallëzim penale nga ILDKP.
Gjithashtu, ky fakt konfirmohet edhe nga një burim tjetër mediatik, i cili i referohet informacionit zyrtar të bërë publik nga Prokuroria e Përgjithshme, në Shkurt 2016.
Agjencia e lajmeve “Birn”, në një artikull me titull “Akuzat për fshehje pasurie, Prokuroria mbyll dosjet” ka marrë zyrtarisht informacion pranë institucionit qëndror të Akuzës për kallëzimet që ka dorëzuar Inspektorati i drejtuar nga Shkëlqim Ganaj për vitet 2014-2015. Pra, në kërkesën e BIRN përfshihet edhe periudha, për të cilën Ganaj ka deklaruar zyrtarisht se ka kallëzuar penalisht gjyqtarin Petraq Curri.
Në fakt, njëlloj siç ka konfirmuar së fundmi “Lajme.al”, edhe në përgjigjen e Prokurorisë së Përgjithshme për BIRN, në vitin 2016, nuk figuron emri i gjyqtari Curri në listën e të kallëzuarve nga ILDKP. Prokuroria e Përgjithshme, në atë kohë, i ka dhënë BIRN listën e 10 gjyqtarëve të kallëzuar, ku nuk figuronte në asnjë vend emri i gjyqtarit të Durrësit.
Në këtë mënyrë, konfirmohet plotësisht, nga disa burime, se Shkëlqim Ganaj nuk ka dorëzuar asnjë kallëzim penal në adresë të gjyqtarit Petraq Curri, për veprën penale të “fshehjes së pasurisë”. Atëherë, ngrihet dyshimi-përse emri i tij gjendet edhe sot në faqen zyrtare të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, si një ndër personat e kallëzuar penalisht?
Kolegë të gjyqtarit Curri deklarojnë në kushtet e anonimatit se, në kohën e publikimit të këtij njoftimi për kallëzimin penal ndaj tij, gjyqtari Curri ka qenë tejet i shqetësuar. Ai nuk kishte asnjë informacion nga ILDKP për këtë kallëzim dhe asnjë lloj dijenije nga ana e Prokurorisë për një hetim të nisur ndaj tij.
Por, brenda një kohe të shkurtër, gjyqtari Curri është kthyer qetësisht në punë, pasi ka marrë garanci se ndaj tij nuk është dorëzuar asnjë kallëzim penal nga Inspektorati i drejtuar nga Shkëlqim Ganaj.
“Lajme.al” ka një pikëpyetje shumë të madhe- përse emri i gjyqtarit Petraq Curri gjendet në listën e publikuar zyrtarisht si person i kallëzuar penal nga ILDKP dhe ndaj tij nuk është dorëzuar asnjë kallëzim penal në Prokurori?
Dyshimet të çojnë në pistën se publikimi i emrit të tij në njoftimin zyrtar, mund të ketë qenë një “ftesë” në formë shantazhi që Shkëlqim Ganaj i ka përcjellë gjyqtarit Curri për një “kompromis ekstra-ligjor”. Ky dyshim do të qëndrojë i fortë, përsa kohë nuk do të ketë asnjë argumentim zyrtar dhe të besueshëm nga ILDKP se përse ka ndodhur kjo.
“Lajme.al” do të vijojë të hulumtojë edhe për emra të tjerë, të listuar si të kallëzuar nga Shkëlqim Ganaj, për të parë nëse ka raste “kompromisi” të kësaj natyre, si me gjyqtarin e Durrësit.
Pak ditë më parë, “Lajme.al” publikoi një listë me gjyqtarë, të cilët kanë rezultuar të pastër nga verifikimi i ILDKP-së, por janë rrëzuar para Komisionit të Vetingut, pikërisht për probleme me deklarimin e pasurisë. Siç duket, Shkëlqim Ganaj është treguar më shumë bujar se sa duhet me kontrollin e pasurisë së gjyqtarëve.
Kryeinspektori i Pasurive rezulton se ka një lidhje të veçantë me zyrtarët publik me emërtimin “gjyqtar”. Një gjyqtari të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamajt, i merr “borxh” makinën e shoferit për udhëtime private jashtë Shqipërisë. Një gjyqtari tjetër, Petraq Currit, i publikon emrin në listën e të kallëzuarve, por nuk dorëzon asnjë kallëzim penal në Prokurori.
Disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese u jep “çertifikatën e pastër të pasurisë”, por të gjithë ata shkarkohen nga detyra, pasi Komisioni i Vetingut konkludon se kanë pasuri të pajustifikuar.
Gjatë procesit të Vetingut, me shumë mundësi, do të dalin edhe të tjerë raste të “bujarisë” së tepruar, për të mos ripërsëritur termin “kompromise”, të Kryeinspektorit Shkëlqim Ganaj, zyrtarit që ka një rol shumë thelbësor në procesin e rivlerësimit për gjyqtarët dhe prokurorët.
Diskutime rreth kësaj post