Edoardo Reja do të jetë trajner i kombëtares sonë edhe në eliminatoret e Kupës së Botës 2022. Strategu 74-vjeçar ka një meritë të veçantë për krijimin e një atmosfere shumë pozitive brenda grupit kuqezi, edhe pse e mori në një moment shumë të vështirë. Skeptizimi për trajnerin italian në mjedisin sportiv fillimisht në Shqipëri nuk mungonte për shkak të moshës së tij, pasi puna e tij nuk ka vend për koment. Më shumë se 1000 ndeshje eksperiencë në futbollin italian ku ka bërë mjaft mirë me disa skuadra.
Presidenti i FSHF, Armand Duka nuk ka asnjë dyshim për të ardhmen e Rejës, teksa një gjë të tillë e konfirmoi pas fitores 4-0 ndaj Moldavisë. “Nuk ka gjë për të diskutuar, veçse të ulemi dhe të diskutojmë strategjinë për Nations League dhe për Botërorin e ardhshëm”. Strategu italian pritet që të firmosë rinovimin e kontratës para dy ndeshjeve të fundit eliminatore ndaj Andorrës dhe Francës. Puna shumë e mirë e bërë në rinovimin e skuadrës duket se ka bindur presidentin Duka për t’i dhënë një tjetër mundësi për të pasur në dispozicion kohën e nevojshme për të realizuar ëndrrën e madhe që një ditë të luajmë në një Kupë Bote.
Në 6 ndeshje që është në drejtimin e kuqezinjve, Reja ka arritur 3 fitore dhe 3 humbje. Rezultate për t’u marrë në konsideratë, duke parë edhe lojën shumë të rrjedhshme të djemve tanë, që na kanë treguar se dinë të luajnë mjaft mirë edhe në një fushë të vështirë si ajo e Turqisë, e cila arriti që të merrte barazim ndaj Francës. Sigurisht që ka ende vend për përmirësime, por sinjalet janë shumë pozitive për një grup futbollistësh, të cilët me kalimin e viteve mund të bëhen heronjtë e ri të një epoke të artë.
Reja është ndryshe, komunikimi me gazetarët ka qenë shumë më ndryshe se paraardhësi i tij, i cili justifikohej me arrogancë për rezultatet negative që arrinte ekipi. I qartë në idetë e tij, Reja që nga dita e parë që zbarkoi në Tiranë, u shpreh se do të punonte për të vënë në zbatim skemën e tij të preferuar 3-5-2, ndërkohë që futbollistët i janë përgjigjur më së miri duke u vënë në dispozicion të tij në rolet që ai i kishte caktuar. Mjafton të shohësh rastin e Veselit, i cili ka luajtur si mesfushor i djathtë në dy ndeshjet e fundit, duke zëvendësuar Hysajn, edhe pse roli i tij natyral është mbrojtës qëndror. Për të mos folur për Gjasulën, i cili duket sikur zbriti nga qielli shumë vonë, apo për Manajn dhe Baren që kanë ende shumë klas dhe spektakël për të na demonstruar.
Diskutime rreth kësaj post