Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste të relaksuar me Mirela Milorin e “ABC News” iu rikthye lavdeve për ish-aleatin dhe mikun-armik të tij, Ilir Metën. Rama e cilësoi Metën si “presidentin më të suksesshëm”, në vlerësim e tij.
Po përse Ilir Meta është “presidenti më i suksesshëm”? Meta ka më pak se një vit në krye të shtetit shqiptar dhe është ende herët për të dhënë një vlerësim për të, krahasuar me paraardhësit e tij. Por, Ramës tani i intereson të tërheqë vëmendjen e Metës, i cili, edhe pse është apolitik në bazë të Kushtetutës, ka një ndikim thuajse absolut mbi partinë që themeloi, Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Kryeministri e dha këtë deklaratë vetëm pak ditë pasi opozita e bashkuar PD-LSI ka njoftuar një protestë të fuqishme për të shtunën, 26 maj. Opozita do të mblidhet në bulevardin kryesor të Tiranës për të kërkuar largimin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Për drejtuesit opozitarë, Xhafaj nuk ka as moral politik dhe as të drejtë ligjore të vijojë të qëndrojë në atë detyrë, për sa kohë i është bërë mburojë politike dhe institucionale vëllait të tij të dënuar për trafik narkotikësh në Itali.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama e mbrojti me fanatizëm ministrin e Brendshëm, duke rrezikuar në këtë mënyrë një agravim të situatës politike, e cila mund të rrokullisë edhe vetë pushtetin e tij.
Në këto kushte, Rama po tenton të luajë diversionin brenda opozitës. Ai e di shumë mirë që me Lulëzim Bashën nuk mund të ketë më një marrëveshje si ajo e 18 Majit të vitit 2017. Gjithashtu, Rama e ka të qartë që me drejtuesen shpërthyese të LSI, Monika Kryemadhi, nuk mund të ulet në tryezën e bisedimeve. Për këtë arsye, kryeministri shpreson që të gjejë një rrugë komunikimi me Ilir Metën.
Ky i fundit, “me qetësi e dashuri” duket se ka vijuar që të ruajë pozitën e tij të fortë në skakierën politike shqiptare. Këtë e di edhe Edi Rama, i cili tashmë po i shtrin sërish dorën Metës që, të paktën të ndikojë tek njerëzit e tij të bindur në LSI që të zbusin sa të mundin efektet e protestës.
Por nga ana tjetër, Meta e ka shumë të qartë se, sa herë Edi Rama përmendte emrin e tij gjatë periudhës së bashkëqeverisjes, gjithnjë e shoqëronte me togfjalëshin “ai do të shkoj në burg”, duke iu referuar presidentit aktual të Shqipërisë, që sot e konsideron si “më të mirin në historinë e Shqipërisë”. /Lajme.al
Diskutime rreth kësaj post