Nga takimet zyrtare në Prishtinë, apo në Tiranë, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, një të tillë, pritet ta realizojnë në një ambient krejtësisht ndryshe prej herëve të tjera. Kjo pasi që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama edhe zyrtarisht ka nisur rrugën ligjore ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj. Kreu i ekzekutivit shqiptar, ka ushtruar padi ndaj homologut të tij nga Kosova, Ramush Haradinaj. Padia e Ramës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, të mërkurën, është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton Gazeta Express.
Me pretendimet se Haradinaj ka shpifur me deklarimet e tij ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama kërkon kompensim të dëmit. Padia e Edi Ramës, e cila përmban mbi 30 faqe, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve. Në këtë padi, përmenden disa emisione të transmetuara gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë, e ku e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiçin, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Në datën 17.10.2019 e 29.10.2019, i Padituri Ramush Haradinaj, në kohën e kryerjes së deklaratës Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës (më poshtë referuar edhe si “i Padituri”gjatë një interviste të dhënë gazetarit Artur Zheji e të publikuar në emisionin 360 Gradë në datën 17.10.2019 si dhe gjatë intervistës së kryer në datën 29.10.2019 në emisionin televiziv Pressing/Zona Pressing të publikuar në televizionin “T7” të Republikës së Kosovës, ka kryer deklarim publik të fakteve shpifëse e mashtruese në adresë të Paditësit me pasojë cenimin e nderit, personalitetit, reputacionit dhe dinjitetit të Paditësit me pasojat e parashikuara në legjislacionin e zbatueshëm”, – thuhet në padi.
Por nuk ka munguar dhe reagimi i Haradinajt. Ai thotë se do të përgatisë përgjigje në padi, duke e quajtur atë të pabazuar, që ka për qëllim t’i ikë përgjegjësisë.
“Sot është raportuar në media se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deponuar padi kundër meje në Gjykatë. Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore! Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diversion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, – shkruan Haradinaj.
Diskutime rreth kësaj post