Nga Ilva Tare / JavaNews.al
Kryeministri Edi Rama u shpreh të martën në studion e Eni Vasilit se është politikan i bindjes dhe jo i konsensusit. Thënë në këto momente kritike të shpëtimit nga dështimi i reformës në drejtësi, ky pohim bie ndesh me vendimmarrjen në të kaluarën të politikanit Rama, i cili ka përdorur konsensuse të nëndheshme dhe të pamoralshme për t’u fuqizuar politikisht.
Politikanët e këtyre 25 viteve të vështira të pas komunizmit kanë punuar në kurriz të interesave të shqiptarëve dhe në funksionin të pazareve që u kanë garantuar pushtet. Pazare që kanë preferuar t’i quajnë si arritje kombëtare përmes një konsensusi ndërpartiak. Reforma të rëndësishme janë shfrytëzuar për të fuqizuar pozitat e më të fortëve ndaj më të dobtëve, duke shkelur parime dhe bindje në funksion të përfitimeve.
Drejtësia është parë dhe është trajtuar si një mekanizëm për ta marrë dhe për ta mbajtur pushtetin nga të gjithë Kryeministrat e këtij vendi, të cilët ja kanë dalë ta korruptojnë dhe deformojnë deri në palcë drejtësivënien. Viktimat e drejtëpërdrejta të të ashtuquajturave reforma konsensuale kanë qenë interesat publike, shanset për të garuar në emër të asaj pjese të shoqërisë që ka nevojë për rregulla loje, barazi në konkurrim dhe ligjshmëri për përfaqësim.
Bindja që ka triumfuar ndër politikanët që kanë qeverisur në Shqipëri ka qenë dhe është ajo e shfrytëzimit të cdo mjeti për të garantuar qëndrimin në pushtet, me çdo cmim, qoftë edhe duke marrë jetë njerëzish sic ndodhi pesë Janarë të shkuar. Edhe ato pak raste që i janë shitur publikut si konsensus i gjerë në fakt kanë qenë tentativa për të “vrarë” parti dhe politikanë të caktuar me marifete elektorale që i shërbenin protagonistëve të këtyre marrëveshjeve të dëmshme.
Në rastin e Edi Ramës shqiptarët kanë një arkivë bujare deklaratash dhe qëndrimesh publike ndaj aleatit të tij Meta, me të cilin është e vështirë të besohet se e bashkoi bindja. Siç u dyshua atëherë dhe kuptohet më qartë në dy vjet e gjysëm bashkëqeverisje me ekuilibra që vështirë, aleanca Rama-Meta ishte e nevojshme për një fitore bindëse në zgjedhje. Me gjasë bindja që ka mbizotëruar ka qene ajo se pa njëri-tjetrin në të njëjtën llogore, mund t’u rrezikohej sërish pushteti.
Edhe konsensusi i famshëm Berisha-Rama për ndryshimin me pasoja fatale të Kushtetutës në 2008, u dha për arsyet e gabuara dhe qëllime të pastra politike, duke deformuar përfaqësimin demokratik dhe duke iu dhënë kryetarëve të partive statusin e pashallarëve. Prandaj në demokracitë e përparuara nuk fitojnë bindjet e politikanëve si individë, por kompromisi parimor që i shërben mbarë shoqërisë. Reforma në drejtësi duhet të jetë një marrëveshje shumëpalëshe, për të mirën publike dhe asnjë shumicë qeverisëse nuk ka të drejtën të pretendojë se ka një marrëdhënie të sinqertë me parimet dhe shtetin e së drejtës.
Diskutime rreth kësaj post