Pandemia e COVID-19 ka ndryshuar mënyrën se si italianët e shikojnë botën, vendet e tjera dhe udhëheqësit e tyre, sipas faqes italiane të internetit www.affaritaliani.it, që nëpërmjet gazetarëve Di Alberto Maggi e Lorenzo Lamperti bën një analizë empirike të disa liderëve më të spikatur të skenës politike botërore.
Mesazhet e solidaritetit dhe dërgimi i ndihmave shëndetësore kanë modifikuar tek italianët edhe kënaqësinë për drejtuesit e huaj.
Sipas studimeve të bëra rezulton se më i dashur nga italianët (medalje ari sipas ”Mg Research”) është kryeministri shqiptar Edi Rama (63.2% në rritje neto). Studimi u krye për Affaritaliani.it nga kompania ”Mg Research” (menaxheri i përgjithshëm Roberto Baldassari) mbi kënaqësinë e krerëve të shteteve dhe qeverive tek qytetarët italianë, duke krahasuar të dhënat e 3 prillit me ato të 31 dhjetorit 2019.
Për ta sjellë Ramën në vendin e parë ka merita fjalimi i tij në gjuhën italiane, ku ai njoftoi dërgesën e ndihmave nga Shqipëria, shumë domethënëse dhe e ndarë masivisht në rrjetet sociale.
Në vendin e dytë, (medalje argjendi), është presidenti i Federatës ruse Vladimir Putin, i cili në katër muaj është rritur nga 48.7% në 52.8, por ka humbur vendin e parë për shkak të boom-it të kryeministrit të Tiranës. Edhe këtu, rritja e popullaritetit të presidentit Putin, bazohet në ndihmën mjekësore që erdhi nga Rusia për urgjencën pandemike.
Në vendin e tretë të podiumit, për çudi, dhe me një prirje në rritje, renditet presidenti francez Emmanuel Macron, (medalje bronxi) i cili gëzon besimin e 41.6% të italianëve, krahasuar me 40.6 në fund të vitit 2019 (kur ai ishte në vendin e pestë) . Një rritje e vogël që mund të motivohej gjithashtu nga përkrahja e Elysee drejt kërkesave europiane të Italisë.
Në vendin e katërt sipas sondazhit renditet kryeministri spanjoll Pedro Sánchez me 39.4% të konsensusit në rënie në krahasim me 43.9 të katër muajve më parë, kur ai kishte fituar medaljen e bronztë. Spanja ishte vendi i dytë evropian që hyri në pandeminë e Covid-19, pas Italisë, dhe kjo domosdoshmërisht ka ulur bashkëpunimin midis Madridit dhe Romës.
Në vendin e pestë renditet kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau me 37.2% edhe ky në rënie nëse krahasohet me 42.2 (pozicionin e katërt) të 31 dhjetorit të kaluar. Një rënie që mund të lidhej pikërisht me urgjencën pandemike që ka lënë çështje të tjera (siç është ajo e mjedisit, në të cilën Trudeau është gjithmonë shumë aktiv) në sfond.
Lideri kinez Xi Jinping ka arritur të rritet në sondazhe me 33.8% të besimit në mes të italianëve, dhe është renditur në vendin e gjashtë nga 26.9 që kishte katër muaj më parë. Kujtojmë që Kina ishte e para që dërgoi ndihmë në Itali. Ndihmat e reklamuara shumë nga ministri i Jashtëm Luigi Di Maio të përbëra nga dhurime të kompanive dhe individëve duket se ka fituar zemrat e shumë italianëve.
Presidenti amerikan Donald Trump, bie nga vendi i gjashtë (36.7%) në të nëntin (28.9). Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tashmë epiqendra e re e epidemisë e ndihmuan më pak Italinë në fillim, madje vendosën mbylljen e fluturimeve me Europën, dhe qindra milionët e premtuar nga Shtëpia e Bardhë për qeverinë Conte nuk janë parë ende.
Kryeministri britanik Boris Johnson gjithashtu ka shënuar rënie të ndjeshme nga 28.8% në 31 dhjetor 2019 në 23.3% në prill 2020. Ndoshta italianëve nuk u pëlqyen fjalët mbi “imunitetin e masës”.
Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel sipas sondazhit ka pësuar rënie. Nëse katër muaj më parë 30.6% e italianëve kishin besim te gruaja e fortë e Berlinit (pozita e nëntë), sot konsensusi ka rënë në 22.6 (vendi i dymbëdhjetë). Linja e ashpër e Gjermanisë per Eurobondin ka patur sigurisht një ndikim, i cili në të vërtetë ka errësuar ndihmën konkrete të dhënë nga Berlini në Itali, përfshirë maskat dhe mirëseardhjen e pacientëve Covid-19 nga Lombardia.
Katastrofë sipas sondazhit për presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila ndodhet në vendin e trembëdhjetë, e fundit në renditje, me 17.8% ndërsa katër muaj më parë ajo ishte në vendin e shtatë me 33.6%./ATSH
Diskutime rreth kësaj post