Kryeministri Edi Rama ka deklaruar dje se ka marrë fund epoka e punësimeve politike në shëndetësi. Gjatë prezantimit të flotës së re të autoambulancave, shefi i qeverisë deklaroi se qeveria do të ofrojë më shumë mbështetje për mjekët, infermierët por edhe për studentët e mjekësisë. Sipas tij, vitin që vjen do ketë rritje pagash, ndërkohë bëri të ditur se dyert e spitaleve dhe qendrave shëndetësore janë gjithmonë të hapura për më të mirët. “Gjatë këtij viti, të braktisjes së Shqipërisë nga të gjithë mjekët dhe infermierët, sipas mediave, – me media është llafi që bie, se ju e dini se çfarë janë, -këtë vit janë punësuar në sistem 153 mjekë dhe 820 infermierë dhe të tjerë janë në radhë për t’u punësuar. E rëndësishme është që ne kemi garantuar rrugën e meritokracisë për mbi 4 mijë infermierë që duan të hyjnë në sistem, – janë në Shqipëri, nuk janë në Gjermani, janë në portalin “Infermierë për Shqipërinë”, por ndryshe nga çfarë ka ndodhur për 25 e kusur vjet nuk hyn më në punë as përmes partisë, as përmes krushqisë, as përmes parasë, por vetëm përmes pikëve të fituara në testimin kombëtar të infermierëve”, ka thënë ai.
Rritja e pagave
Duke u ndalur te largimi i mjekëve dhe infermierëve jashtë vendit, Rama solli shembullin sesi drejtuesi i urgjencës është kthyer nga jashtë vendit dhe po udhëheq, sipas tij, transformimin e këtij reparti në sistemin shëndetësor. Ndërsa shtoi se pas janarit do punësohen 300 mjekë të rinj në sistemin shëndetësor, duke theksuar se ata që do zgjedhin të punojnë jashtë zonave të tyre të banimit, do përfitojnë edhe bonusin prej 2 mijë dollarësh. Thirrja e Ramës ka qenë për mjekët që duan të largohen në drejtim të Gjermanisë. “Pas janarit do të kemi 300 mjekë të rinj specialistë, të cilët, po ashtu, në bazë të meritës dhe të rezultateve, do të mund të zgjedhin se ku dhe nëse duan të kontribuojnë. E për të gjithë ata që do të zgjedhin të kontribuojnë në zona jashtë zonës së tyre të banimit, ne do të vazhdojmë të paguajnë aq sa do të merrnin sikur të fillonin punën në Gjermani, që ditën e parë që do arrinin. Aq marrin të gjithë mjeket që shkojnë jashtë Tiranës, apo jashtë qendrës së tyre të banimit, për të shërbyer si specialistë në shërbimin tonë kombëtar mjekësor në të gjithë territorin e Shqipërisë”, ka thënë ai. Më tej Rama ka përmendur edhe bonusin që do të mund të marrë çdo mjek që punon jashtë zonës së banimit, duke deklaruar se do të paguhen 5 herë më tepër se në Gjermani. “Marrin rrogën si çdo mjek dhe pastaj marrin mbi rrogën, 2 000 deri në 2500 dollarë në muaj. E po të llogarisësh që taksat që paguajnë këtu janë pesëfish më të ulëta sesa për të njëjtën rrogë në Gjermani, le ta bëjnë vetë llogarinë sesi ju del më mirë. Por një gjë është e sigurt, ne as kemi dhe as do të kemi mungesë mjekësh në sistemin tonë kombëtar shëndetësor. Ndërkohë, të gjithë atyre që do të duan të bëjnë eksperienca jashtë vendit, nuk mundet veçse t’u urojmë me gjithë zemër sukses, sepse janë vlerë e shtuar intelektuale, vlerë e shtuar profesionale, eksperiencë e fituar që herët ose vonë i rikthehet atdheut”, ka thënë Rama.
Mbështetje studentëve
Kreu i ekzekutivit ka folur dhe për mbështetjen që qeveria do tu ofrojë studentëve të mjekësisë. Ai ka bërë të ditur se përveç zerimit të tarifës, studentëve ekselentë të mjekësisë do tu jepet edhe një bursë. “Vitin e ardhshëm do të paguajmë jo pak, po 1200 dollarë në vit për studentë ekselentë mjekësie, d.m.th. 100 mijë lekë në muaj bursë dhe do të paguajmë ne si qeveri të gjithë tarifën, të çdo studenti në mjekësi me notën 9 deri në 10. E do na kushtojnë shtrenjtë këto të mirët në mjekësi, sepse janë të gjithë shumë të mirë. Megjithatë, ashtu të jenë dhe ne do ta shpërblejmë këtë që ata bëjnë dhe do t’i mirëpresim në sistem, pasi t’ua kemi paguar vetë tarifat, pasi t’u kemi dhënë dhe bursën mujore dhe pasi t’i bëjmë gati për të zgjedhur Shqipërinë, ose botën, sipas dëshirës së tyre. Por është e sigurt se edhe kjo është një vlerë e shtuar për sistemin kombëtar shëndetësor që ne duam”, ka deklaruar Rama.
Diskutime rreth kësaj post