Kryeministri i vendit Edi Rama e ka bërë edhe njëherë të qartë dje, se nuk do të pranojë kushtin e Partisë Demokratike për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Në një deklaratë për mediat, shefi i qeverisë theksoi se është i gatshëm të ulet në tryezë dhe të dialogojë me kreun e PD, Lulzim Basha. Ai ka folur edhe për kërkesën e PD për zgjedhje të parakohshme, duke e hedhur poshtë këtë opsion. Po ashtu ka shtuar se ishte gabimi i PD që la Parlamentin. Rama tha se ata do duhej të ishin në Parlament. Më tej shefi i qeverisë është shprehur se PD është e mirëpritur për tu ulur në tryezë, por ka theksuar sa i përket pozicionit që ka PS tani, se janë të “dënuar” që të qëndrojnë në krye të qeverisë, pasi i ka zgjedhur populli me votë, duke shuar përfundimisht kështu zërat e opozitës për zgjedhje të parakohshme.
“Sigurisht që do ishte mirë PD të ishte në Parlament. Ka marrë vendimin e vet të ikë. Është një vendim që tregon se ka dëmtuar rëndë vetë PD. Padyshim që nuk e ka bërë më të mirë jetën politike të vendit, por nuk është se e ka cënuar në pikën e mosfunksionimit kështu që gjërat funksionojnë, mund të funksiononin më mirë padiskutim në këtë aspekt, por gjithmonë nuk ka diskutim që ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezë, ne jemi të gatshëm të diskutojmë, ne jemi të gatshëm të dëgjojmë, të mbajmë shënim, të reflektojmë kur shohim që ka ide dhe sugjerime pozitive, por ne jemi të votuar e të dënuar të udhëheqim, nuk jemi këtu për të ndjekur të tjerët, as për të pritur që dikush të zgjohet nga gjumi apo të përfundojë atë shtriqjen përpara se sa të vijë në punë”, ka deklaruar Rama.
Zgjidhja e krizës politike
Kryeministri Edi Rama ka folur edhe për zgjidhjen e krizës politike, pasi është pyetur nga gazetarët në lidhje me këtë temë. Por kryeministri nuk ka pranuar që vendi ndodhet në krizë. Ai ka deklaruar se vendi nuk është në vakuum. “Unë mendoj që vendi nuk ka vakuum për arsye sepse Kuvendi funksionon, procesi legjislativ ecën, ne reformat po i çojmë përpara. Besoj që me prioritetet që kemi caktuar do i japim një shtysë të re shumë të fortë kësaj faze të dytë të mandatit në kuptimin e impaktit që do të ketë kjo shtysë, qoftë në aspektin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, qoftë në aspektin e nevojës për të përfunduar një proces të stërzvarritur të titujve të pronësisë në fshat me ligjin e ri që tashmë është gati, qoftë në aspektin e shërbimeve”, deklaroi kryeministri.
Rama thirrje Metës për Shkodrën
Më tej ai u pyet nga gazetarët për situatën në Shkodër, ku Rama u shpreh se procesi është duke ecur sipas normave të caktuara kudo. Gazetarët e pyetën nëse ka pasur ndonjë komunikim me presidentin Meta, për të caktuar një datë zgjedhjesh për Shkodrën. Rama iu përgjigj gazetarëve duke i thënë se nuk ka asnjë komunikim me presidentin. “Jo, nuk kemi asnjë komunikim. Ju e dini që situata post zgjedhore karakterizohet nga një inerci që lidhet me historinë e dekrete-zhdekreteve, kështu që ne kemi për detyrë të garantojmë vazhdimësi normale të qeverisjes, aty ku ne kemi fituar bashkitë dhe ku praktikisht kemi dy vakanca. Besoj që kjo po ndodh. Ndërkohë që, për sa i përket Shkodrës, nuk ka një vendim edhe, për fat të keq, Shkodra është në situatën më të rëndë nga kjo pikëpamje, sepse ka një kryetare që është kryetare dhe s’është kryetare dhe faktikisht ka një vakuum në këtë aspekt, por kjo është një çështje që nuk është në dorën tonë dhe nuk kemi se si e zgjidhim, por thjesht presim që të marrë një zgjidhje”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post