Ish-deputeti i PD, Luçiano Boçi doli sot në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat ku ngriti alarmin për mungesën e një plani për rihapjen e shkollave.
Sipas ish-deputetit, mbi 640 mijë nxënës dhe studentë akoma nuk e dinë, nëse do të shkojnë apo jo në shkollë, ndërsa shtoi se qeveria e paaftë është me pushime.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, LUÇIANO BOÇI
“Shqipëria ka një problem të madh qe prodhon krizë pas krize. Ky problem është qeveria e paaftë, e papaërgjegjshme dhe e korruptuar që drejton vendin.
Kryeministri në ikje Edi Rama vazhdon të bëjë plazh, qeveria vazhdon të jetë me pushime, ndërsa një krizë e re po troket në derën e pothuajse çdo familje shqiptare.
Sot asnjë prind nuk e di çfarë do të bëhet me shkollimin e fëmijëve të tyre. Askush nuk e di, nëse do të hapen apo jo shkollat, sepse Edi Rama dhe qeveria e tij e dështuar nuk kanë asnjë plan.
Prej të paktën dy javësh, siç ndodh zakonisht, mbi 640 mijë nxënës dhe studentë presin lajmin për ngjarjen më të rëndësishme të jetës së tyre, nisjen e fillimit të vitit shkollor dhe akademik, por qeveria hesht.
Ministria e Arsimit nuk ka publikuar asnjë plan, asnjë strategji për mënyrën e zhvillimit të mësimit në sistemin parauniversitar dhe atë universitar
Shumë vende evropiane si Gjermania, Italia, Franca, Britania e Madhe, Greqia kanë studiuar dhe kanë marrë të gjitha masat për rikthimin e nxënësve në auditorë në fillim të shtatorit, ndërsa Shqipëria nuk ka asnjë plan të tillë.
Edi Rama është në rehatinë e plazhit, ndërsa Besa Shahini, ikonë e paaftësisë së kësaj qeverie, është në ethet e shkarkimit. Askush nuk do t’ia dijë se çfarë do të ndodhë me mësimin, me nxënësit, me mësuesit.
Asnjëherë gjatë këtyre 7 viteve e gjysëm, Edi Rama nuk e ka patur arsimin prioritetin e tij. Ai mashtroi qytetarët me premtimin e financimit të arsimit sa 5 përqind e Prodhimit Kombëtar. Tani investimet janë katandisur në një grusht para dhe ato pak investime në shkolla bëhen me borxhet e PPP-ve korruptive.
Edi Rama duhet të ndërpresë pushimet dhe të dalë përpara shqiptarëve për ngjarjen më të rëndësishme të fëmijëve.
Si çdo kryeministër tjetër në Evropë, duhet të shpjegojë cili është plani për shkollat, nëse do të rihapen apo jo, çfarë masash janë marrë për klasat, nëse do të ketë rihapje, çfarë po bëhet për mësimin online, pasi ai që fëmijët bënë në karantinë është një vit i djegur, ku fëmijët mësuan pak ose aspak.
Problemet me arsimin janë shumë më të mëdha sesa kaq, por bërja publik e planit për rihapjen apo jo të shkollave është emergjent.
Gjithçka mund të presë përveç arsimimit të mirë të fëmijëve tanë. Shpresoj që kryeministri, megjithëse është në ikje e sipër, të frymëzohet nga një thënie e Aristotelit, i cili na mëson se edhe në momentet tona më të errëta, ne duhet të fokusohemi për të parë dritën.” – tha Boçi.
Diskutime rreth kësaj post