Në orën 10:00 të kësaj të enjteje do të mblidhet Kuvendi. Kjo seancë plenare vjen pas seancës kaotike të së hënës ku salla u pushtua nga tymi dhe flaka e mjeteve piroteknike që prej javësh tashmë përdoren në sallë nga ligjvënësit opozitarë.
Por, megjithatë, opozita dhe deputetët e Rithemelimit duket se do të vijojnë me skenarin e tyre për të mos lejuar zhvillimin normal të asnjë seance deri në plotësimin e kërksave të tyre.
Prej javësh në Kuvend nuk po zhvillohen seanca normale plenare për shkak të kaosit që shkaktojnë demokratët e njohur si mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe këta të fundit pritet që edhe seancën e sotme plenare ta shoqërojnë sërish me tensione, pasi kanë paralajmëruar kaos dhe jo normalitet, tashmë jo vetëm deri në ngritjen e komisioneve hetimore të kërkuara, por edhe të kundërshtimit të fortë të marrëveshjes së nënshkruar me Italinë për emigrantët e paligjshëm.
Lidhur me këtë të fundit, demokratët e të dy fraksioneve, si ata të PD-së zyrtare ashtu edhe të grupimit të Rithemelimit, kanë depozituar gjatë ditës së djeshme padi respektive në Gjykatën Kushtetuese ku kërkojnë rrëzimin e marrëveshjes Rama – Meloni.
Por, nga ana tjetër PS kërkon të ndryshojë ligjin për komisionet hetimore.
Drafti i propozuar nga PS, ngushton objektin e komisioneve hetimore, duke thënë se parlamenti mund të hetojë vetëm çështje konkrete ndërsa ndryshime parashikon edhe në thirrjen e dëshmitarëve.
Një vit më parë edhe opozita dorëzoi përmes dy deputetëve Jorida Tabaku dhe Edmond Spaho dy propozime për Komisionet Hetimore, të cilat sipas rregullave parlamentare, do të duhet të bashkohen dhe të diskutohen së bashku.
Diskutime rreth kësaj post