Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tha sot në Top Story se Lëvizja Socialiste për Integrim është e rëndësishme sa i përket qëndrimit për Byronë Kombëtare të Hetimit. Sipas Tahirit, projektligji kërkon unanimitet të plotë.
Deklaratat e Tahirit erdhën në emisionin e gazetarit Sokol Balla përballë një paneli analistësh.
Në fjalën e tij, ministri tha se ndërsa qeveria e paraqiti draftin në Kuvend, opozita këmbënguli që ai të shkonte në komisione.
“PD nuk e ka shfaqur kurrë dyshimin apo kundërshtimin që do ta emëroja unë drejtorin. Ka kërkuar vetëm që emërtesën time ta konfirmojë me shkrim Prokurori i Përgjithshëm dhe nuk u diskutua asnjëherë nëse do të jetë emërtesë e ministrit të Brendshëm apo jo”, tha ministri Tahiri.
Gjatë emisionit të së enjtes, ministri Tahiri iu përgjigj edhe akuzave të PD sa i përket përdorimit të makinës së tij për qëllime të dyshimta.
Ministri i Brendshëm tha se ai u paraqit në prokurori pas akuzave të Dritan Zaganit.
“Unë shkova në Prokurori për akuzat e Zaganit. Pas 5 muajsh, Prokuroria i cilësoi gënjeshtra akuzat në lidhje me këtë çështje” – tha Tahiri.
Ndërkohë, Saimir Tahiri tha se nga ana tjetër, Basha i është shmangur procesit gjyqësor ndaj tij duke u fshehur pas raportit mjekësor.
I pyetur për kongresin, Tahiri tha se është e vërtetë që Kongresi është i vonuar.
“Në njëfarë soji jemi në shkelje të statutit. Blushi ka të drejtë në ato që thotë. Është temë që e diskutojmë edhe më Gramoz Ruçin dhe të tjerët. Askush s’ka thënë që kryetari i PS nuk duhet zgjedhur. As Rama vetë s’është kundër zgjedhjeve për kryetar të Partisë Socialiste” – tha Tahiri.
Diskutime rreth kësaj post