Ndërtimi i dyshimtë në brendësi të Parkut Kombëtar të Butrintit është tema kryesore e debatit që po zhvillohet live në ambientet e kryesisë së kuvendit, ku është thirrur për interpelancë ministrja e kulturës Mirela Kumbaro.
Por ajo që është vënë re që në nisje të kësaj seance është fakti se ministrja socialiste është braktisur edhe nga vetë deputetët e PS-së, të cilët kanë nënkuptuar kundërshtinë e tyre për ndërtimin e një kafeneje në ambientet e brendshme të zonës arkeologjike në Butrint.
Dy deputetë të PS-së, Alket Hyseni i qarkut të Sarandës, dhe Fidel Ylli i qarkut të Durrësit janë shprehur të shqetësuar për ndërtimin brenda në parkun kombëtar.
Nga ana tjetër, kryetarja e komisionit për çështjet sociale, deputetja demokrate Albana Vokshi ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të punimeve, duke i cilësuar si një skandal i vërtetë.
“Kumbaro s’na ka sjellë komunikimin me UNESCO-n. Ndërprisni tani punimet dhe vijojmë dëgjesën për atë që po ndodh në Butrint.”-tha Albana Vokshi.
“Jo rastësisht jam ulur nga krahu i opozitës. Qytetarët janë të shqetësuar pasi ky ndërtim prek interesin e tyre”, tha deputeti socialist Alket Hyseni.
“Problemi është i ndjeshëm edhe për ne. Nëse ka shkelur ligjin nuk ka ku shkon as ministri e askush. Nëse ligji është shkelur unë do jem në krahun e asaj pjese që është për informimin publik.”-tha deputeti i PS Ylli.
Nga ana e saj, Kumbaro ka sqaruar incidentin me një gazetar të televizionit, i cili nuk u lejua nga roja e parkut të Butrintit që të futej në ambientet e zonës arkeologjike. Argumenti i tij qe se kështu i kishte thënë drejtori.
‘Është një kompliment shumë i lartë që i bëhet njerëzve të kulturës që debati ngrihet në një nivel të lartë. Dhe që kanë arritur të sjellin në vëmendje edhe gurin më të vogël. Meqënëse më thatë për këtë çështjen e medias, më vjen keq për incidentin që ndodhi dje. Jo vetëm për atë por për të gjithë gazetarët që kanë të bëjnë me një aspekt filmimi apo fotografimi të pasurive natyrore kanë një detyrim minimal që të marrin leje të autoritetit administrues”, tha Kumbaro.
Debati:
Albana Vokshi: Kumbaro s’na ka sjellë komunikimin me UNESCO-n. Ndërprisni tani punimet dhe vijojmë dëgjesën për atë që po ndodh në Butrint.
Luçiano Boçi: Të ndërprisni menjëherë punimet dhe seancën dëgjimore e zhvillojmë edhe në një mbledhje tjetër, kur ju të jeni gati.
Alket Hyseni: Kjo është një çështje sensitive, prek interesin e qytetarëve.
Vokshi-Kumaros: Nuk lejuat gazetarin e Report Tv të futej në parkun e Butrintit.
Mirela Kumbaro: Ka pasur një incident me gazetarin e Report Tv. Për filmimin dhe fotografimin e pasurive kulturore, të kërkohet leja e autoritetit që e administron. Ne kemi dhënë pafund leje nga BBC, CNN e deri te më të vegjlit.
Albana Vokshi: Gazetari nuk ka pasur kamera. Sot ju duhet t’i kërkonit ndjesë gazetarit dhe medias.
Mirela Kumbaro: A bëjmë një pakt të lutem? Të lëmë njëra-tjetrën të mbarojmë. Unë po të them se njoftimi që erdhi nga Parku është se një ekip që erdhi të filmojë, nuk kishte leje. Pse sot dy ekipe u lejuan? Sepse kishin marrë leje.
Albana Vokshi: Ky është rast i paprecedentë.
Fidel Ylli: Problemi është i ndjeshëm edhe për ne. Nëse ka shkelur ligjin nuk ka ku shkon as ministri e askush. Nëse ligji është shkelur unë do jem në krahun e asaj pjese që është për informimin publik.
Diskutime rreth kësaj post