Trupi i pajetë i 35-vjeçarit Valton Loka që u vra dy ditë më parë në ishullin grek të Kretës është nisur drejt Shqipërisë. Pasditen e djeshme rreth orës 18:00 me orën lokale greke, arkivoli me trupin e pajetë të Tonit, mbërriti në portin e Iraklios i shoqëruar nga familjarët, të afërmit, miqtë, fqinjët e kolegët e punës për t’i dhënë atij lamtumirën e fundit.
Udhëtimi vijoi drejt Athinës me traget e prej andej për në Shqipëri, atdheun e tij. Trupi i pajetë i babait të dy fëmijëve shoqërohet nga bashkëshortja dhe vëllai i tij.
Valton Loka u qëllua për vdekje me thikë dy ditë më parë nga fqinja e tij, 26-vjeçarja greke e cila është e droguar. Ajo kërkoi ndihmë dhe shqiptari u ofrua për ta ndihmuar. Në atë moment, 26-vjeçarja e qëlloi me thikë në zemër duke e lënë të vdekur në vend.
Sipas mediave greke, vajza kishte qenë gjatë natës në spital sepse disa orë para krimit ajo qarkullonte në shtëpi me një thikë duke kërcënuar për të lënduar veten. Banorët e zonës dëgjuan të bërtiturat e saj dhe njoftuan policinë.
Në vendngjarje mbërriti edhe ambulanca, e cila e transportoi për në spital. Pasi mori ndihmë, u largua përsëri për në banesë. Ndërsa mëngjesin e së shtunës, ajo i doli para makinës Valton Lokës duke i kërkuar ndihmë dhe më pas e goditi në kraharor.
Diskutime rreth kësaj post