Televizioni Top Channel dje trasmetoi një lajm ku fliste për një aksion në Fier të policisë në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.
Sipas TCH, “Forca e Ligjit” është zbutur pasi po sipas televizionit, grupi që ishte ndaluar në Fier nuk ishte grup kriminal, sepse ishin ndaluar 3 persona dhe ishte arrestuar vetëm njëri për 130 gramë hashash.
Por, e vërteta e thënë nga Top Channel në kronikën e djeshme nuk është e plotë. Kjo për faktin e thjeshtë se TCH i është referuar vetëm referimit të bërë nga policia në Prokurorinë e Fierit dhe jo edhe referimit tjetër të bërë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Për këtë ka reaguar edhe policia e cila mësohet se i është drejtuar Top Channelit me një e-mail zyrtar në redaksinë e lajmeve të TCH, ku i ka dërguar për sqarim dhe pasqyrim mediatik TCH, faktin se ka dy procedime penale për çështjen në fjalë dhe jo një siç citon televizioni. Sipas policisë, janë dy procedime dhe janë saktësisht njëri në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier (të cilit i ishte referuar TCH) dhe një në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, të cilin TCH nuk e pasqyroi as pas kërkesës së policisë.
Policia madje saktëson fare qartë Top Channel-in se në bazë të objektit të veprave penale, janë bërë edhe procedimet në Prokuroritë pëkatëse. Ku “për çështjen e armëmbajtjes pa leje, prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike, dhe përshtatje të ambienteve për tregtim te lëndëve narkotike”, janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Fier, ndërsa për ato që janë vepra edhe më të rënda si “grup të strukturuar kriminal mbi bazën e ligjit 1092, Antimafia, për pastrim te produkteve të veprës penale për ‘Trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike’ dhe ‘falsifikim dokumentesh’ janë referuar në datë 15 nëntor 2017 dhe hetohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë.
Por, kjo histori nuk mbyllet me kaq, madje shkon në kufinjtë e një skandali censurimi mediatik për faktin se televizioni TCH censuroi policinë duke mos dhënë reagimin e saj.
TCH jo vetëm që në lajmin e parë nuk dha të vërtetën e plotë të dy referimeve të policisë duke mos informuar siç duhet, por më keq akoma, edhe pasi iu kërkua nga policia të sqarohej opinion publik dhe teleshikuesit për të vërtetën, sërish ky televizion refuzoi ta pasqyronte./Lexo.al
DEKLARATA E POLICISË:
Duke iu referuar kronikës së djeshme të lajmeve transmetuar në Top Channel, mbi grupin kriminal ‘Grand’, të goditur në Fier, Policia e Shtetit sqaron se:
Në lidhje me këtë grup kriminal, ka dy procedime penale, një në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier dhe një në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Në bazë të objektit të veprave penale të ndara në kapitujt e Kodit Penal, ‘Armëmbajtja pa leje’, ‘Prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike’, dhe ‘Përshtatje të ambienteve për tregtim të lëndëve narkotike’, janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Fier.
Ndërsa për grup të strukturuar kriminal mbi bazën e ligjit 1092, Antimafia, për pastrim te produkteve të veprës penale për ‘Trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike’ dhe ‘Falsifikim dokumentesh’ janë referuar në datë 15.11.2017 dhe hetohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda, Tiranë.
Duke falënderuar mediat për bashkëpunimin, Policia e Shtetit siguron qytetarët se operacioni “Forca e Ligjit” do të vazhdojë edhe më me intensitet në ditët e muajt në vijim, për të goditur me ashpërsi çdo grup kriminal të përfshirë në listën e zezë të këtij operacioni, përmes bashkëpunimit intensiv me partnerët ndërkombëtarë.
Diskutime rreth kësaj post