Nga Andi Bushati
Edi Rama ka zbuluar në monologun e së dielës trekëndëshin e zi të armiqve të Shqipërisë.
Në të bën pjesë përpos opozitës, natyrisht mediave edhe një biçim si ai i deputetit gjerman të CDU- CSU së, Krichbaum, që deklaroi se shumica parlamentare e Angela Merkelit, nuk do të hapë dritën jeshile për çeljen e negociatave me BE.
Edhe njëherë kryeministri ka mëtuar ta etiketojë kryetarin e Komisionit për Çështjet Europianë në Bundestag, si një njeri që mbronte interesat e Partisë Demokratike.
Po si qëndron e vërteta? Ku thotë të drejtën dhe ku manipulon ai në monologun e kësaj të diele në Facebook ?
Natyrisht, Edi Rama, ka të drejtë kur e sheh deputetin gjerman si një aleat të PD. Jo vetëm ai, por edhe shumë të tjerë në Shqipëri, e kuptuan se disa nga kushtëzimet që Gunther Krichbaum lexoi në Tiranë, ishin qoka që i bëheshin opozitës. Këtë bindje e përforconte edhe fakti se ai erdhi t’i lexojë kushtet e tij në Tiranë, për të komunikuar sy më sy me publikun shqiptar. Atë e bën më të fortë edhe kujtesa se demokratët kanë përdorur gjithnjë emisarë të tillë që nga koha e Xhejms Trafikantit e deri tek miku austriak i Berishës, Grosruk.
Natyrisht, Rama ka të drejtë edhe kur e sheh këtë prononcim si të parakohëshëm, sepse tani është ende shpejt që të flitet për caktimin e datës së hapjes së negociatave. Tani Shqipëria gjendet përballë ankthit nëse Këshilli Europian do të miratojë në dhjetor rekomandimin e Brukselit apo do ta rrëzojë atë.
Pra edhe dalja publike e Gunther Krichbaum shumë përpara sesa koha kur Bundestag duhet të shprehet zyrtarisht, e kompromenton në një farë mënyre paanshmërinë e qëndrimeve të tij.
Por, duke evidentuar këto kleçka, që kanë ngjallur diskutim edhe në publik, Rama manipulon me një gjë shumë më të madhe. Ai i përdor këto efekte anësore për të krijuar një tablo të rreme për ngecjen e rrugës së integrimit të Shqipërisë.
Po të dëgjoje monologun e kryeministrit këtë fundjavë, batuatat që ai bëri pas bisedës me deputetin plangprishës gjerman, si dhe korin e gjithë mbrojtësve të tij, të krijohet nëj përshtypje: Sikur hapja e negociatave po pengohet vetëm nga një shkak, nga opozita që po zvarrit zbatimin e ligjit të vetingut.
Pra në mënyrë më të stërholluar dhe me argumenta më të tërthortë edhe lideri global, po përsërit një rrefren që e kanë recituar edhe parardhësit. Atë se në Shqipëri punët shkojnë mbroth, por fajin për integrimin e ka vetëm opozita.
Kush e ka ndjekur prej kohësh këtë proces e mban mend se të njëjtat argumenta përdorte Nano në vitet 2003 – 2004 kundër Berishës. Madje ai shkoi deri aty sa ti shkruante homologut të një vendi fqinjë se nëse dëgjoheshin boritë e opozitës për të penguar integrimin drejt BE, vendi rrezikohej nga rritja e frymës islamiste.
Po si dy pika uji, teza të ngjashme, përdori edhe Berisha i rikthyer në pushtet, kundër opozitës së Ramës. Të gjithë i mbajnë mend shprehjet e tij se bilbilat e PS binin për të penguar liberalizimin e vizave dhe se qarku i Fierit ishte sebepi i veëm, që Shqipëria nuk përparonte drejt BE.
Pra edhe përralla që po përdor sot kryeministri i radhës, se fajtori i vetëm duhet kërkuar tek Lulzim Basha, është e dalë boje dhe së paku një dekadë e gjysëm e vjetër.
Për dështimet e tij, as Rama nuk ka arritur të gjejë ndonjë justifikim më të mirë sesa pararadhësit.
Prandaj ai, fajin e vetëm, e gjen tek PD, tek pengesa e vetingut, tek mediat dhe të huajt e rekrutuar.
Pikërisht këtu qëndron manipulimi.
Sepse pyetja që shtrohet sot, nuk është kush e solli dhe për kë punon gjermani plangprishës; nuk është as se ç’qëndrim mban opozta.
Përpara tyre duhet të ngrihet një tjetër: a janë të drejta shqetësimet për korrupsionin galopant, vendin që po mbushet me hashash, parlamentin dhe pushtetin lokal ku gëlojnë kriminelë.
Ti anashkalosh këto dhe të vizatosh një Shqipëri të lulëzuar që pengohet vetëm nga “levantinë, karanxhollë, bejlurçina, dallkaukkë dhe agallarë që duan ta përcajnë këtë popull me thikën e prapambetjes”, është një mashtrim i pastër. Eshtë një manipulim i pasuportueshëm. Është taktika e dalë boje e imponimit të një gënjeshtre më të madhe përmes denoncimit të një manipulimi më të vogël.
Këtë bëri në komentin e javës edhe Rama duke iu kundërvënë gjermanit Krichbaum.
Por për fatin e tij të keq, ai nuk shkoi dot më larg sesa pararadhësit e tij, Nano Dhe Berisha, që për dështimet e tyre, bërtisnin gjithnjë: fajin e ka opozita. (Lapsi.al)
Diskutime rreth kësaj post