Deputeti i ardhshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Mark Marku sot ka bërë kritika të forta në Kuvendin Kombëtar të PD-së. Si rrallëkush në këtë Kuvend ai është treguar i hapur, i sinqertë dhe pa lajka për partinë apo kryetarin.
Ai kritikoi me të madhe analizën e bërë nga partia, për objektivat që janë arritur apo jo në 12 qarqet e vendit. Marku tha se është ndjerë i fyer nga analiza se në qarkun e Lezhës nuk është arritur objektivi, kur PD atje fitoi 4-3 dhe u morën mbi 33 mijë vota.
Deputeti i Lezhës e hodhi tërësisht poshtë analizën duke e quajtur të mangët për nga mënyra metodologjike se si është bërë. “Nuk duhet të jemi një opozitë që vjen aksidentalisht në pushtet, as një opozitë që hë ti fusim pak frikën Ramës”, tha ai.
Deklarata e Markut:
“Të nderuar pjesëmarrës. Ky kuvend mblidhet në një moment dramatik për PD dhe shoqërinë shqiptare, sepse ne disktutojmë këtu sikur kemi fituar. Ne prisnim ndryshimin në 25 prill. Në vend të ndryshimit kemi regjim më të fortë. E vërtetë se kjo erdhi siç thuhet në analizë, nga qeveria e Ramës që u angazhua në skemë të gjerë të blerjes së votave. Në Lezhë ky operacion ishte i dukshëm. Në Lezhë fituam mbi 30 mijë vota dhe 4 mandate. Për fat të keq në analizën e paraqitur këtu ky rezultat është relativizuar, gjë që është një fyerje për të gjithë ata që na besuan. Kjo analizë nuk mund të mbështetet mbi pritshmëri.
Nuk bëhet analizë e njehsuar nga realiteti lokal në Shqipëri, pasi këto realitete lokale në Shqipëri, janë shumë të veçanta. Në Elbasan paskësh qenë humbja pritshmëri, apo në Berat etj, se në këto qarqe thuhet u arrit objektivat. Nga ana metodologjike tregon mentalitetin humbës se sa rezultatet konkrete. Kjo është turp. E para ndihem krenar, falenderoj ata që votuan PD. Ndihem krenar, e kam pas angari pjesëmarrjen në politikë dhe angari të marr pjesë në fushatë, duke e ditur se çfarë ishte. Ndihem krenar për atë që gjeta atje dhe angazhimin e madh njerëzor që kanë pasur njerëzit aty. I kërkoj falje nëse dikush këtu nga ne i ka fyer ata votues atje me analizën e bërë. Kishim rezultat më të mirë se në 2009. Duhet të ndryshojmë strategjinë tonë politike. Për herë të parë në historinë e pluralizmit, PD nuk arriti të vijë në pushtet. ky është fakt, i rëndë, por duhet të përballemi me këtë fakt. PD është në pikën më kritike të saj, pavarësisht rezultatit të avancuar me çfarë kemi qenë 4 vite më parë. Analiza që po bëjmë këtu është jashtë realitetit. Siç ka thënë Aurel Plasari, nuk jemi në kohën politike, duhet të arrijmë kohën politike. Duhet të fillojmë të mendojmë seriozisht.
Na vodhën njëherë, nuk bëhet fajtor i vjedhuri, por vjedhësi. Nëse na vjedhin dy herë e kemi fajin ne. Këtu unë s’do duhet të flisja fare, sepse jam i zgënjyer, ti mbyll kongresi dhe bën votimin dhe pastaj të flas unë? Kjo s’ka kuptim. Zgjeroje sa më shumë Kuvendin Kombëtar, më shumë e dëmton dhe e disfunksionalizon. Siç thotë dhe akademiku Fuga, po rezikojmë ta kthejmë PD-në në dekor të regjimit. Gjuha e përdorur këtu ishte si dekor, për të thënë gjithçka dhe të mos thuash asgjë. Ishte dekor që i vjen në punë pushtetit.“-shprehet Marku.
Diskutime rreth kësaj post